Një fitore ka qenë dhurata më e mirë për trajnerin Haris Lika nga futbollistët e ekipit të Veleçikut. Në ditën që festonte 34-vjetorin e lindjes, Lika mori një dhuratë tepër të bukur nga skuadra e tij, duke fituar ndeshjen e parë të fazës së dytë ndaj Klosit me rezultatin 0-2.

Haris Lika është një emër i njohur i futbollit shkodran, ku së bashku me të vëllanë e tij, Gilman Lika kanë luajtur për Vllazninë, por edhe për skuadra të tjera të futbollit shqiptar.

Haris Lika, detyrën e trajnerit e ushtron prej disa vitesh. Fillimisht ka drejtuar ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia dhe më pas edhe të Akademisë AAS.

Përvoja me këto klube, por edhe liçensimi në kategorinë më të lartë të shkallës së trajnerit të futbollit, atë UEFA PRO, bëri që ofertat ndaj tij si trajner të vinin edhe nga jashtë Shkodre, siç ishte rasti i Akademisë së Shënkollit, ku drejtoi me shumë sukses ekipin U-19, pretendent kryesor për fitimin e trofeut deri në javën e fundit të kampionatit, falë punës së tij në atë periudhë.

Faktikisht, Haris Lika dallohet si një trajner shumë punëtor dhe tashmë jo më kot është në krye të Veleçikut. Me këtë rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të bukura trajnerit Haris Lika.
Maringlen ZHIVANI