Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka treguar se është një “makth” i vërtetë për Egnatian në sezonin 2025–26, duke dominuar përballjet direkte dhe duke konfirmuar superioritetin ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për titullin kampion. Shkodranët kanë ditur të bëjnë diferencën në momentet kyçe, duke dalë më të fortë nga çdo duel me skuadrën nga Rrogozhina.
Kjo u vërtetua edhe në përballjen e fundit mes tyre, e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit, ku Vllaznia triumfoi me rezultatin minimal 1-0. Goli vendimtar u realizua nga Kallaku, i cili i dhuroi fitoren skuadrës shkodrane dhe tre pikë mjaft të rëndësishme në garën për kreun. Një sukses që i shtohet historikut pozitiv të 9 herë kampionëve të vendit ndaj Egnatias këtë sezon.
Në fazën e parë të kampionatit, Vllaznia u shfaq bindëse duke fituar 2-0, ndërsa në fazën e dytë ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë përfundoi në barazim spektakolar 2-2, një duel i luftuar deri në minutat e fundit. Edhe pse pa fitues, kjo përballje konfirmoi se shkodranët dinë të reagojnë edhe në transfertë ndaj një kundërshtari të fortë.
Bilanci i këtyre ndeshjeve tregon qartë se skuadra e drejtuar nga Martini ka arritur të imponojë lojën dhe të marrë maksimumin në duelet direkte, duke fituar një avantazh të rëndësishëm psikologjik dhe sportiv ndaj Egnatias. Një element që mund të rezultojë vendimtar në garën për titullin kampion në fund të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


