Skënderbeu ka nisur me këmbën e mbarë kampionatin me një fitore të rëndësishme në transfertë dhe sigurisht që motivimi është maksimal në kampin bardhekuq. Por kjo duket se është frika kryesore e trajnerit Ivan Gvozdenoviç, gjë për të cilën ka filluar të punojë nga dita e parë e përgatitjeve antiDinamo.

Në seancën e parë stërvitore të zhvilluar në Korçë, bardhekuqtë kanë filluar me një analizë të detajuar, ku kryesisht trajneri serb është kujdesur të ulë me këmbë në tokë ekipin pas euforisë së fitores në Rrogozhinë. I prerë dhe i qartë në fjalët e tij, Gvozdenoviç i ka kërkuar ekipit të mos fluturojë, por të ulet me këmbë në tokë dhe të punojë me përgjegjshmëri. “Ju uroj për paraqitjen e parë dhe e them me bindje se keni zhvilluar një ndeshje perfekte. Por nuk është momenti për t’u gëzuar.

Nga sot e në vazhdim dua që ekipi të harrojë gjithçka dhe ta nisë sërish nga zero, duke menduar vetëm për një ndeshje jo në tërësi se çfarë ka ndodhur në ndeshjen e parë. Kampionati sapo ka filluar dhe gjithçka është në fillimet e veta. Do të ishte vetëvrasje nëse do të merrnim hov nga kjo fitore dhe do të çedojmë në ndeshjet e radhës. Nuk dua të shoh mendjemadhësi në sytë tuaj, madje as këtë supermaci që keni fituar nga ajo ndeshje në Rrogozhinë. Prandaj le të hedhim pas krahëve fitoren dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”, theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut në analizën e ekipit të zhvilluar paraditen e së hënës.

STËRVITJA – Pavarësisht fitores, trajneri i Skënderbeut ka evidentuar edhe problemet e hasura në këtë ndeshje të parë. Prandaj për këtë trajneri ka punuar që në fillim me rregullimet e duhura duke u ndalur te reparti ofensiv. Gvozdenoviç është marrë me dy sulmuesit duke i kujtuar edhe një herë që të jenë më të shkurtër në lojë dhe më bashkëpunues me njëri-tjetrin, veçanërisht në 30 metrat e fundit. Kjo ka qenë kërkesa e vazhdueshme e numrit një të pankinës korçare që nga ana tjetër ka pasur këshilla edhe për mesfushën dhe krahët e mbrojtjes për të qenë më efikasë në të dyja fazat e lojës duke qenë se mbulojnë pozicionet e dyfishta.