Vllaznia arriti një fitore në shifrat 2-0 ditën e djeshme në miqësoren ndaj Otrant. Shkodranët realizuan nga një gol në secilën pjesë, ku në fraksionin e parë të lojës ishte Smajli ai që do hapte llogaritë.

E ndërsa në të dytën do ishte Esat Mala që me një kthesë, shënoi një gol mjaft të bukur. Dueli patjetër që shikoi të gjithë futbollistët të aktivizohen.

Por pavarësisht fitores, niveli i lojës nuk ishte më i miri i mundshëm tek kuqeblutë. Tifozët që ishin në numër të konsiderueshëm për një ndeshje miqësore ishin të pakënaqur nga loja që zhvilloi skuadra. Një ndeshje pa një ritëm të lartë, ndaj një rivali si Otrant që nuk është realisht një ekip aq edhe i fortë.

Mbështetësit kuqeblu presin një marsh tjetër nga ekipi, ku tashmë edhe kampionati është në prag. Duket se ekipi ende nuk ngroh në atë çfarë presin tifozët e zjarrtë shkodranë. Ku gara në këtë sezon në Superiore duket edhe më e egër se ajo e sezonit të shkuar.

Megjithatë drejtuesit kanë shprehur gatishmërinë për të afruar lojtarë të tjerë.
Pozicionet ku mendohet se mund të ketë afrime janë në sulm e po ashtu në mbrojtje. Ndërsa mund të tentohet edhe afrimi i një fantazisti, lojtar që realisht mungon në rozën aktuale të skuadrës 9 herë kampione të vendit.
Endri ÇINARI