Mbrëmja e madhe e futbollit italian, në të cilën çmimet bashkojnë rivalët, ku shfaqen bashkëshortet, ku flasin drejtuesit dhe miqtë takojnë njëritjetrin. Ishte mbrëmja gala e organizuar nga Shoqata e Futbollistëve në Itali, nën prezantimin e bukuroshes Dileta Leota.
Me buzëqeshjen e saj dhe me veshjen provokuese thërret në skenë një nga një lojtarët më të mirë të sezonit 2017-2018, formohet një skuadër e cila zgjidhet nga lojtarët e Serisë A, nga trajnerët dhe gazetarët italianë. Nëse do ta përmbledhim me pak fjalë, ishin dy fituesit e mëdhenj të kësaj mbrëmjeje: Mauro Ikardi dhe skuadra e Juventusit që dominonte formacionin.
TRIPLETË E IKARDIT
Kapiteni i Interit shkonte në këtë mbrëmje i vetëdijshëm se një çmim e kishte të sigurt: “Golashënuesin e Serisë A”. Shënoi një numër golash të njëjtë me Çiro Imobilen, por ky i fundit u penalizua për shkak të renditjes së Lacios. Por në mbrëmjen gala kapiteni i Interit u zgjodh si autori i golit më të bukur të sezonit që lamë pas kundër Sampdorias me finte. Nuk munguan batutat në këtë rast.
“Edhe goli ndaj Milanit nuk ishte keq”, tha kapiteni zikaltër, i cili sezonin e kaluar udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve pas 6 vjetësh. Por, surpriza e madhe për sulmuesin argjentinas ishte fitorja e çmimit si futbollisti më i mirë i kampionatit italian në sezonin e kaluar.
Teksa të gjithë qëndronin në skenë, fotoja e numrit 9 zikaltër qëndroi në ekran dhe u shoqërua me duartrokitje. Mauro Ikardi triumfoi përpara Paulo Dibalës, Miralem Pjaniçit apo shumë lojtarëve të tjerë të rëndësishëm në Serinë A.
“DUA TË SHËNOJ”- Menjëherë pas triumfit të trefishtë në mbrëmjen gala, kapiteni zikaltër tregoi emocionet dhe dëshirën për të bërë histori me skuadrën e Interit. “Jam shumë i lumtur për këto çmime, sepse në fund të fundit janë kolegët që votojnë. Tani me Interin duhet të bëjmë gjëra pozitive. Unë e kam thënë gjithmonë që dua të fitoj diçka të rëndësishme me këtë fanellë, pasi kam dalë dy herë golashënues.
Kam treguar dashuri për këto ngjyra dhe për këtë skuadër. Dua të falënderoj drejtorin Auzilio dhe presidentin Zhang që duan të më mbajnë këtu. Është hera ime e parë që e fitoj çmimin si ‘Lojtari i Vitit’ dhe dua të falënderoj ata që më kanë votuar. Për mua është e rëndësishme të jem në formacionin e Serisë A.
Thuhen shpesh shumë gjëra për mua, por jam sulmues dhe dua thjesht të shënoj gola. Dua të jem gjithmonë gati kur vjen topi në zonë”, ka thënë Ikardi. Nuk mund të mungonin batutat me Dibalën. “U takuam dhe bëmë disa batuta. Jemi miq, por të premten do të jetë një ndeshje dhe një sfidë e madhe”, përfundoi sulmuesi i Interit.