Kthehet gangrena e trukimeve të ndeshjeve në futbollin shqiptar, ose të paktën kështu sinjalizojnë kompanitë më të mëdha të basteve që operojnë në tregun ndërkombëtar.

Alarmi vjen për një sfidë të paspecifikuar ende në futbollin e vendit tonë, të zhvilluar në tremujorin e dytë të këtij viti dhe që ka detyruar kompanitë e mëdha që ta përfshijnë në raportin e tyre për këtë periudhë viti për ato që cilësohen si tentativa të dukshme.

IBIA – “International Betting Integrity Association” (IBIA) është organizata e krijuar nga kompanitë më të mëdha të basteve sportive që operojnë në të gjithë globin.

Pjesëtarë të saj janë emra si “William Hill”, “Ladbrokes”, “Bet365” etj., të gjitha kompani shumë të njohura në arenën ndërkombëtare, të cilat kanë vendosur të bashkëpunojnë për të identifikuar ndeshjet ku lëvizjet e koeficienteve tregojnë se ka tentativa të qarta manipulimi të rezultateve.

Çdo tre muaj, IBIA publikon raportin e saj, që zbulon tentativa të tilla shumë të dukshme në sporte të ndryshme, ndërsa njofton zyrtarisht edhe autoritetet përkatëse që janë organizatore të eventeve.

TRUKIMET

SINJALIZIMI – Në raportin e tremujorit të dytë të vitit, prill-qershor 2022, IBIA ka sinjalizuar për 88 raste të dyshimta, ku 32 i përkasin futbollit dhe 12 janë për zonën e Europës.

Për fat të keq, një prej tyre i përket Shqipërisë, e cila kthehet përsëri në hartën e kësaj organizate, siç ndodhte rregullisht vite më parë, kur në çdo tremujor kishte sinjalizime për trukime që binin në vesh të shurdhër në vendin tonë derisa shpërtheu çështja e Skënderbeut.

Pas dënimit të klubit korçar nga UEFA, sinjalizimet nga Shqipëria u minimizuan dhe prej shumë kohësh nuk kishte të tilla, të paktën nga IBIA që përfaqëson kompanitë e njohura ndërkombëtare.

HARTA E EUROPËS – Përtej raportimit për Shqipërinë, bie në sy se një rast i përket edhe Kosovës për këtë tremujor, duke bërë të qartë se ky fenomen nuk përshin vetëm vendin tonë në rajon.

Në 10 rastet e tjera të zonës së Europës, nga 2 i përkasin Republikës Çeke, Rumanisë dhe Suedisë, ndërsa nga 1 Finlandës, Italisë, Malit të Zi dhe Holandës.

RAPORTIMI – IBIA ka marrëveshje bashkëpunimi më FIFA-n dhe UEFA-n, së cilës i raporton rregullisht për ndeshje që i cilëson si të trukuara, ose ku ka pasur tentativa të dukshme manipulimi.

Kësisoj, edhe ndeshja që cilësohet e dyshimtë në kampionatin shqiptar apo edhe ajo në kampionatin kosovar, janë raportuar në organet më të larta drejtuese të futbollit botëror, me dosjet të cilat më siguri do të përfundojnë edhe në zyrat e FSHF-së dhe FFK-së.