Fjoart Jonuzi mendon se Vllaznia ka shanse të mira për të arritur kualifikimin nga dy përballjet që do të ketë me rumunët e Universitatea Kraiovës në Ligën e Konferencës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori kuksian i kuqebluve foli për fazën përgatitore në Austri, si dhe atë që pret nga ndeshja e 21 korrikut.


Fjoart, si shkoi faza përgatitore në Austri?

Mund të them se ishte e mirë. Kushtet ishim optimale, edhe klima për stërvitje ishte gjithashtu shumë e mirë. Në kushte të mira zhvilluam edhe 4 ndeshje miqësore të suksesshme, prandaj dhe jemi të kënaqur për fazën përgatitore.

Në syrin tuaj, si duket gjendja e skuadrës para ndeshjes me rumunët?

Skuadra është mirë, si nga ana fizike, ashtu edhe harmonia brenda saj. Kemi punuar shumë këtë fazë edhe kemi besim se me përkushtim do të jemi të suksesshëm.


A e keni studiuar ekipin e Universitatea Kraiovës gjatë kësaj periudhe?

Detyra jonë këtë kohë dhe përqendrimi kanë qenë te puna në stërvitje. Kemi pasur edhe ngarkesa fizike të larta, kështu që pjesa tjetër taktike i takon stafit. Ata e dinë më mirë se si është ekipi kundërshtar, ndërsa neve na ngelet të japim më të mirën tonë në fushë.


Me aq sa e njihni ekipin rumun, sa shanse ka Vllaznia për të arritur kualifikimin?

Në futboll shanset janë gjithmonë, thjesht duhet të jemi cinikë dhe me besim të plotë që mund të kualifikohemi, pavarësisht se kundërshtari ka cilësi shumë të mira.

Do të luhet në Shkodër. E shihni pozitive apo do të dëshironit që përballja e parë të ishte në Rumani?

Nuk ka rëndësi kjo pjesë, sepse goli në fushën kundërshtare nuk është më si më parë. Thjesht duhet të përqendrohemi te të dyja ndeshjet dhe të marrim më të mirën, që është kualifikimi.


Si e shikoni Vllazninë në sezonin e ri?

E sigurt është që Vllaznia do të luajë për trofe të tjerë, duke punuar me përkushtim.


Është i kompletuar ekipi sipas jush?

Mendoj se kemi lojtarë cilësorë dhe një grup të mirë lojtarësh.


Thirrja juaj për tifozët kuqeblu për përballjen ndaj rumunëve?

Tifozët tanë nuk kanë nevojë për thirrje. Ata do të jenë të shumtë në mbështetjen ndaj nesh dhe do të bëjmë më të mirën.