Ditën e sotme u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF, e cila ishte online. Në fjalën e tij presidenti i FSHF, Armand Duka theksoi se pas situatës së vështirë nga COVID, kanë gjetur forcë për t’u ringritjr. Sakaq, Duka bën edhe një kërkesë për qeverinë dhe bashkitë që të kthejnë sytë nga sporti.
“Futbolli sjell gëzim. Ky Europian do gdhendet si moment rebelimi ndaj frikës dhe triumf i shpresës. Momenti kritik që përjetoi në fushën e blertë, reagimi i publikut, tregoi që futbolli është lojë që i kalon kufijtë e të imagjinueshmes. Jam i lumtur që është më mirë dhe rikthehet normaliteti. Kemi kaluar prova të vështirë këtë periudhë.
U tregua sa i rëndësishëm është futbolli. Mbase këto kohë i bëjnë njerëzit më të fortë. Kemi gjetur forcë të ringrihemi, jo si metaforë. Kemi dhënë paga solidariteti, duke treguar se askush nuk është vetëm në familjen tonë.
Përfunduam çdo aktivitet, si pak vende në botë. Jemi orientuar nga principet e unitetit, duke shpallur futbollin e fëmijëve si prioritet. Mbështesim gjithashtu financiarisht edhe futbollin e femrave. Nga sezoni i ardhshëm çdo klub i Superiore do ketë ekip femrash.
Kemi bërë kampionat U15 për femra. Po mbyllen kampionatet rajonale U11 në Tiranë dhe kudo. Do tentojmë të bëjmë 100 ekipe në 100 shkolla 9-vjeçare. Kemi përgatitur literaturë të unifikuar për stërvitjet e fëmijëve. Kemi 2000 futbollistë më shumë se një vit më parë. Puna ka dhënë efektin e vet. Vijojmë me projektin “Topi im”. Terrenet janë të pakta dhe të rrezikuara. Kemi shpallur projektin “100 fushat”. Dora për bashkëpunim është refuzuar deri tani, por ne do vazhdojmë.
I bëj thirrja qeverisë dhe bashkive të hedhin sytë nga sporti dhe ta konsiderojnë të mirë publike. Ne do mbështesim çdo projekt.
Po ndërtojmë “Zeqir Ymerin” në Kukës, bashkëpunim i frytshëm me qeverinë. Nuk ndalemi me kaq, pasi me Bashkinë Kukës do bëjmë edhe aneksin stërvitor. Po finalizojmë fushën në klubin e Bulqizës. Do fitojë edhe jeta sociale në atë zonë. Kemi përfunduar një nga fushat stërvitore të Teutës.
Këto investime do sjellin më shumë talente për qytetin e Durrësit. Kemi përgëzuar Egnatian për stadiumin që po ndërton dhe kemi ofruar mbështetjen tonë.
Apoloninë e kemi mbështetur me ndriçimin e fushave stërvitore. Në maj presim finalen e Conference League, një imazh i shkëlqyer për Shqipërinë, Tiranën. Kjo është fryt i punës së FSHF. Kemi bërë ndërhyrje në tapetin e ‘Air Albania Stadium’.
Me KOKSH nuk kemi një marrëdhënie të mirë. Për fat të keq, këmbëngulja jonë për normalitet i janë përgjigjur me lënien jashtë. Dhimbja është e madhe, por pasojat edhe më të mëdha. Është ndërtuar keq dhe mbetet një turp për lëvizjen sportive.
Të gjithë ata që duan rithemelimin me norma të KOKSH, do kenë mbështetjen tonë. Shtëpia e futbollit shqiptar është e hapur për të gjithë, mund të flasim të gjithë për zhvillimin e këtij sporti. Duhet ta ruajmë lojën në shtëpinë tonë. Së bashku mund ta përmirësojmë futbollin”, u shpreh Duka. /VipSport/