Fjoart Jonuzi, mesfushori i skuadrës shkodrane, është i mendimit se Vllaznia ka bërë një start normal të kampionatit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 25-vjeçari pohoi se ekipi aktual është më i fortë sesa skuadra e sezonit të shkuar.
Mesfushori beson shumë te një e ardhme më e mirë për Vllazninë, si dhe premton se pas tri barazimesh Vllaznia do të rikthehet te fitorja në kampionat ndaj Dinamos.
Ndaj Skënderbeut nuk shkuat më shumë se një barazim pa gola. A mund të ishin marrë tri pikë në këtë takim?
Mendoj se nëse do të kishim qenë me 11 lojtar deri ne fund do të kishim marrë 3 pikët. Madje u pa qartë se edhe me një lojtar më pak dominuam dhe krijuam raste. Por ashtu si rrodhi ai takim, përsëri pozitive mbetet marrja e një pike dhe loja që bëmë.
Si e vlerësoni këtë fillim të Vllaznisë?
Fillimi ka qenë pozitiv duke parë edhe ndeshjet që kemi pasur me rivalet direkt. Të vjen pak keq që mund të kishim marrë më shumë pikë ashtu si i kemi zhvilluar ndeshjet. Megjithatë, përsëri mendoj se është një nisje pozitive për Vllazninë.
Çfarë nuk ka shkuar tek ekipi në këto katër javë kampionat?
Nuk mund të them që ka ndonjë problem, thjesht çështje përqendrimi që duhet ta kemi gjatë gjithë takimit. Duhet që t’i vlerësojmë deri në fund kundërshtarët dhe të mos lëshojmë.
Reparti i mbrojtjes duket se ka më shumë mangësi në organikë, cili është mendimi juaj?
Kemi pasur edhe dëmtime, siç është rasti i Bulatoviçit. Por, sërish mendoj që një ekip nuk shikohet nga lojtarët në mbrojtje apo në sulm. Të gjithë duhet të sulmojmë dhe të gjithë duhet të mbrojmë bashkë, që të jemi sa më kompakt në lojë.
Si e shihni Vllazninë në javët e ardhshme?
Çdo javë që kalon aq më shumë përmirësohemi, sepse në ekip kemi edhe lojtarë të rinj apo të ardhur rishtas, të cilët duan kohën e tyre të përshtatjes. Vllaznia do të jetë shumë më mirë se 4 takimet e para.
Si e shikoni Vllazninë aktuale në krahasim me një sezon më parë?
Unë, Vllazninë e shoh më të fortë se vjet, sepse kemi 1 vit bashkë dhe tani e njohim më mirë njëri-tjetrin. Plus kësaj, mund të them se edhe afrimet e reja janë lojtarë cilësorë, ndaj kam besim se do të jemi më të fortë sesa një vit më parë.
Ku e shikoni forcën e këtij ekipi?
Forcën e shikoj te grupi. Strategjia e stafit është që të kemi një grup të fortë dhe individë cilësorë. Kjo është arma jonë më e mirë.
Vllaznia pret Dinamon. Pavarësisht mungesave, si e shikoni këtë takim dhe sa shanse ka Vllaznia për t’u kthyer te fitorja në këtë duel?
Dinamo më duket një ekip simpatik me lojtarë të rinj e cilësorë që kanë uri për sukses pas rikthimit në Superiore. Duhet ta vlerësojmë dhe të japim maksimumin për 3 pikët. Normalisht mungesat ndikojnë, po Vllaznia e ka kontingjentin e duhur të lojtarëve që mund të zëvendësojë mjaft mirë këdo që është i pamundur. Besoj shumë te rikthimi te fitorja që në ndeshjen e radhës me Dinamon./panorama-sport/