“Të luash përballë ekipit të Veleçikut, them që natyrisht është mjaft e vështirë për çdo skuadër.” Kështu e nis prononcimin e tij për këtë ndeshje, trajneri i Murlanit, Vahedin Pepaj. Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport” në prag të ndeshjes me Veleçikun, tekniku i Murlanit, Pepaj, shpreson shumë që skuadra e tij të shfaqë maksimumin në fushën e lojës.

Afrimet e fundit të kryera në këtë merkato nga presidenca Rraboshta, mes të cilëve janë edhe dy brazilianë, sikur kanë rritur paksa optimizmin në ekipin e Murlanit dhe prandaj në këtë kampionat, ata do të luftojnë fort për të mos dalë pa pikë në asnjë ndeshje, duke nisur nga kjo e sotshmja me Veleçikun.

Për “Shkodra Sport”, trajneri Pepaj u shpreh se Murlani është përgatitur në maksimum për ndeshjen e sotme, teksa theksoi se kjo përballje do të jetë krejt ndryshe nga ajo e Kupës pak javë më parë.

“Në fakt, duke njohur ekipin e Veleçikut, them se do të jetë një ndër ndeshjet më të vështira, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj se do të jetë ndryshe nga ajo e Kupës. Shpresojmë të japim maksimumin. Ne do futemi në fushë të japim më të mirën tonë dhe si ndeshje e parë e kampionatit, e rëndësishme është të mos dalim pa pikë.

Në fakt, pavarësisht se i filluam pak me vonesë përgatitjet, unë dhe kolegu im Donaldo Lari jemi munduar të punojmë fort dhe jam i kënaqur nga puna e bërë dhe grupi i krijuar.

Po, është e vërtetë që kemi patur ndryshime. Kishim disa largime, por edhe afrime. Kemi patur shumë futbollistë në provë dhe jemi munduar të zgjedhim ata futbollistë që na nevojiten. Futbollistët, edhe pse nuk kanë shumë kohë bashkë, them se janë përshtatur mirë me njëri-tjetrin.

Objektivi i Murlanit në sezonin e ri? Në fakt, duke parë afrimet që kemi bërë dhe mbështetjen që kemi nga presidenca Rraboshta, poashtu nga Bashkia Vau-Dejës, do të bëjmë më të mirën dhe në fund, duhet ta mbyllim në vendet e para. Gjithsesi, koha është ajo që do tregojë çdo gjë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Murlanit, Vahedin Pepaj.
Maringlen ZHIVANI