Vllaznia në volejboll për femra, që drejtohet nga trajneri Besnik Lisha, do të fillojë pasditën e sotme sezonin e ri sportiv. Ditën e sotme, ekipi shkodran do të zhvillojë ndeshjen e parë të kampionatit si mysafir në kryeqytet përballë Partizanit.

Shoqata e volejbollit të Vllaznisë, që drejtohet nga Florian Zekja, së bashku edhe me drejtuesit e stafit teknik, kanë deklaruar se do të jenë pretendentë kryesor për fitimin e titullit kampion.

Një gjë të tillë, ata e bazojnë duke njohur elementin që kanë në dispozicion, teksa këtë sezon në gjirin e tyre, si rrallëherë më parë, do të kenë edhe tre volejbolliste të huaja, ruse dhe bjelloruse.

Megjithatë, pavarësisht të gjithave, paraqitja e ekipit shkodran në volejboll për femra, duhet parë në fushën e lojës se si do të shkojë ky sezon i ri për ta. Ndeshja e volejbollit të femrave Partizani-Vllaznia, do të luhet pasditën e sotme në kryeqytet në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke nisur nga ora 16:00.
Maringlen ZHIVANI