Vllaznia U-19 do të ndeshet ditën e sotme ndaj Dinamos në javën e dytë të Superiores së moshave. Trajneri i këtij ekipi, Edmond Doçi, e shikon me optimizëm skuadrën aktuale që ai drejton dhe pavarësisht barazimit javën e kaluar ndaj Partizanit, ai vlerëson ekipin e tij.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, Doçi evidenton se qëllimi i tij si trajner është përmirësimi i të gjithë aspekteve tekniko-taktik tek këta futbollistë të rinj. Tekniku shkodran thotë se Akademia Vllaznia është një ndër akademitë më të mira në vend, pasi prej saj shumë elementë me të ardhme po zhvillojnë stërvitje me ekipin e parë.

Po ashtu, trajneri Doçi u shpreh se kërkon me ngulm që futbollistët e tij të mësohen me presionin e një ndeshje të rëndësishme, ndërsa theksoi se pas përgatitjes së elementit të ri, të cilën ai e konsideron parësore, fitimi i kampionatit dhe i Kupës së Shqipërisë, është një kënaqësi e dyfishtë.

“Ndeshja ndaj Dinamos? Si gjithmonë, nuk është se më intereson shumë kundërshtari, aq më tepër që janë ndeshjet e para dhe nuk e njohim kontigjentin e Dinamos. Megjithatë, ajo që kërkojmë ne si akademi, është që këto djem të mësohen me ndeshje të rëndësishme dhe të marrin mësimet e duhura që të jenë gati kur të kalojnë në ekipin e parë.

Tre pikët na kënaqin si ne si trajnerë, poashtu edhe sportistët, por qëllimi jonë është që këto fëmijë, të krijojnë autoritetin e vet dhe të mësohen si me presionin e një ndeshjeje dhe poashtu edhe me marrjen e një rezultati, që t’iu bëhet mësim në periudhën e tyre si sportistë.

Maksimumi si trajner që pres për këto sportistë është që pas ekipit të të rinjve, t’i shoh në nivele sa më të larta, sepse ai është edhe qëllimi, pastaj po erdhën edhe fitimi i kampionatit dhe i Kupës, normalisht që kënaqësia është e dyfishtë.

Kampionat i gjatë përpara për Vllazninë? Në fakt, Vllaznia është gati gjithmonë. E ka treguar në çdo vit që është ndër akademitë më të mira në vend, por vonesa e fillimit të kampionatit ndoshta na e zbehu pak përqëndrimin, që normalisht do të vijë në rritje nga ndeshja në ndeshje.

Elementë që premtojnë për të ardhmen për të kaluar tek ekipi i parë? Normalisht që ka elementë, sepse që tani po zhvillojnë stërvitje me ekipin e parë, por këto sportistë nuk duhet të kënaqen me kaq. Duhet të ulin kokën dhe të punojnë fort për të arritur në majat e futbollit.

Mungesa ndaj Dinamos? Në fakt, ndryshe nga ndeshja e parë që kishim shumë mungesa, këtë ndeshje grupi është i plotë, por e mira e ekipit tonë është që çdo futbollist që është i federuar me U-19, është pjesë e rëndësishme e ekipit, sepse pa një grup të mirë, nuk mundesh as të arrish rritjen si sportist dhe poashtu edhe kënaqësinë e të dominuarit ndaj ekipeve të tjera”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznia U-19, Edmond Doçi.
Maringlen ZHIVANI