Andrey Yago dhe Alexandros Kouros ishin dy futbollistët e parë që u zyrtarizuan si të larguar nga Vllaznia. Por në fakt numri i të larguarve është më i madh. Kjo sepse tre futbollistë të tjerë më 1 qershor kanë qenë të detyruar t’u japin lamtumirën kuqebluve ngaqë ka përfunduar periudha e huazimit dhe do të rikthehen në skuadrat e tyre.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Elmando Gjini që tashmë do t’i bashkohet ekipit të Ballkanit me të cilin është ende nën kontratë, për Kevin Dodajn që do të rikthehet tek CSKA Sofia ndërsa Charles Bismark do të rikthehet tek Skënderbeu.
Nga këto tre futbollistë, mësohet se drejtuesit e Vllaznisë kanë menduar gjatë për mundësinë e mbajtjes së Gjinit e për këtë do t’u duhej të paguanin shumën prej 150 mijë eurosh tek ekipi i Ballkanit siç dhe ka qenë marrëveshja në mes dy klubeve. Por dëmtimet në ndeshjet e fundit të sezonit dhe forma jo e mirë që mbrojtësi shtatëlartë ka kaluar, ka bërë që shkodranët të mos hyjnë në këto negociata për blerjen e kartonit të tij.
Kjo do të thotë se për momentin nga skuadra e Vllaznisë janë larguar 5 futbollistë, por ky numër me siguri që do të rritet në ditët e ardhshme. Një situatë e tillë e bën mëse të domosdoshme ndërhyrjen në merkato ku me përjashtim të portës, të gjithë repartet e tjera kanë nevojë për përforcime.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


