Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia në volejboll për femra ia del të qëndrojë në Superligë edhe sezonin e ardhshëm. Pasi kishte fituar ndeshjen e parë të play-out ndaj Studentit tre ditë më parë në Shkodër me rezultatin 3-0, vajzat kuqeblu fituan me të njëjtin rezultat edhe ditën e sotme në ndeshjen e dytë ndaj këtij kundërshtari.
Ajo u luajt në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe në fakt ka patur disi më shumë rivalitet se takimi i parë. Sidomos në setin e parë të kësaj ndeshje që u fitua nga Vllaznia me rezultatin 25-23.
Dy setet e tjera ndërkohë janë fituar nga ekipi shkodran me shifrat e njëjta 25-18 dhe në këtë mënyrë e gjithë kjo përballje është mbyllur me një rezultat të pastër të favor të tij që kësisoj siguron qëndrimin në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm
Vetë drejtuesit e Vllaznisë pasi e kanë siguruar këtë objektiv minimal, në faqen zyrtare shkruajnë: “Sigurojmë qëndimin në Superligë dhe vazhdojmë përpara për sezonin e ardhshëm, me objektiva të tjerë siç i ka hije ekipit të Vllaznisë!”
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


