8 prill 2025. Dinamo – Vllaznia. Kupa e Shqipërisë. Ndeshje në Stadiumin “gjjgand” të Tiranës, me gjasë modern, të Shqipërisë. Spektatorë të pranishëm vetëm nja 300 a 400. Skandal! Me sinqeritet dhe dhimbje kështu duhet të përcaktosh. Dhe sa e rëndësishme ndeshja! Ishte gjysëm finale e Kupës së Shqipërisë.
Si ka mundësi pra, që Dinamon , skuadër e cila luante në fushën e vet të mos e ndjekin spektatorët? Përse? Ngaqë Dinamo nuk ka shumë dashamirë, edhe pse është një nga skuadrat më të famshme të Shqipërisë e cila ka fituar bukur 18 Kampionate dhe 15 Kupa kombëtare? Dihet ndërkaq, Dinamo përherë ka pasë simpatizantë shumë më pak se skuadrat e kryeqytetit, por jo deri këtu!…
Dhe pyetjet që nuk mund të ndalin:
Përse ka mbërritë deri në këte braktisje të skajshme futbolli qytetar i Shqipërisë?
Përse nuk vijnë as kur luhet gjysmëfinalja e Kupës Kombëtare, jolokale pra, por plotësisht Kombëtare?
Përse na dikton pa pikë mëshire kjo dukuri?
Përse po ndodhë kështu?
Kush përgjigjet për këte braktisje historike?
Padyshim “tifozët” të parët, të cilët me sa duket, nuk dashkan t’ia dijnë për të famshmen Dinamon tonë dhe të tyre. Por kjo është një përgjigje aspak bindëse. Tash, më poshtë, po detyrohemi të shtjellojmë një përgjigje që po e quaj “universale”.
Ata, spektatorët, nuk vijnë edhe për shkak të indiferentizmit më të parë që është bir i indiferentizmit të atyre që drejtojnë futbollin. Që është Federata Shqiptare e Futbollit. E po të hyjmë disi më thellë, do të mbërrijmë te indiferentizmi global i të ashtuquajturit Komiteti Ekzekutiv, qoftë edhe ky i sapozgjedhuri, i cili edhe teksa në shumicë përbëhet nga njerëz qytetarë të Tiranës, me keqardhje të duket më tepër lokal se kombëtar. Çka do të thotë se me ndonjë përjashtim, në shumicë pra, ata nuk përfaqësojnë qytetet tradicionale të futbollit shqiptar. Janë thjesht kryeqytetas “doc”, siç thuhet. Dhe sado që të mundohen nuk mund të arrijnë të njohin thellë, bie fjala, shkaqet e moszhvillimit të futbollit kombëtar në Gjirokastër, Berat, Kavajë, Fier a Lushnje – qytete tradicionale të futbollit këta, ku skuadrat e tyre “lulëzojnë” në “blerimin” e thatësirës të Kategorive të Dyta e të Treta!
Temë tjetër kjo madje, që na kujton se në këte Komitet Ekzekutiv ka jo pak prej atyre që në mënyrë absolute nuk iu takon të zgjidhen. Një herë tjetër për krahasim, do t’iu rreshtojmë se cilat kanë qenë përbërjet e kryesisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, në kohëra e vite të ndryshme, qoftë edhe në kohën e Partisë diktatoriale. Për çudi respektoheshin qytetet, traditat, figurat e shquara të futbollit kombëtar, njohës të spikatun të tij, e tjerë e tjerë…
Isha në stadium për ndeshjen Dinamo – Vllaznia. U mundova të shoh ndonjë anëtar të këtij Komiteti Ekzekutiv. Nuk ia arrita. Le të shpresojmë se nuk kam pa mirë. E le të shpresojmë se zgjedhja e tyre të mos shpërblehet vetëm duke udhëtuar tash e parë me avionin e Kombëtares për te ndeshjet e saj “luksoze”.
Mirë, por zotni, ju qenka besuar të drejtoni futbollin shqiptar. Po përse nuk vini rregullisht në ndeshjet? Përse nuk organizoni, pse jo, edhe studime për të gjetë shkaqet e braktisjes së madhe?
Ishin turrë të shkonin e të takonin ministrin që mbulon edhe sportet, me sa duket edhe futbollin.
Dhe ishin fiksuar në një foto buzëqeshëse, teksa kishte folur ministri, madje edhe duke shprehur gëzimin për zgjedhjen e ndonjë anëtari të ri të këtij Komiteti Ekzekutiv. Ishte folë me të drejtë edhe për ligje të sponsorizimeve të futbollit, ndonëse ende nuk dihet se deri ku ka mbërritë. Madje edhe pa harruar “përfoljen’’ e organizimit të Kampionatit Europian të 21 vjeçarëve të Shqipërisë së bashku me Serbinë. Çka përveç të tjerave, do të thotë se ashtu si qeveria e sotme shqiptare, befasisht edhe për FSHF-në paska lindë një miqësi tejet origjinale “pa drone” me Serbinë e Vuciçit “mikut të madh” të qeveritarëve të Shqipërisë me emrin e “pastër” Aleksandar Vucic. Dhe “armikut po të madh” të Kosovës.
Ndërkaq, për Dinamo – Vllaznia thuajse askush në stadium! “Bukur” vërtet, apo jo? Ndonëse dy grupe krejt të vegjël simpatizantësh të Dinamos e të Vllaznisë përpiqeshin të inkurajonin deri diku për skuadrat e tyre. Të dukej e çuditshme kjo, teksa mungesa e spektatorëve deri në këte skaj, sikur të linte të kuptohej se ndeshja nuk ia vlente për t’u pa. Ndonëse ajo ishte jo pak tërheqëse. E mandej përmes një arbitrimi vërtet të çuditshëm: ndërhyrja e Varit me një prepotencë të pafalshme, atje mbrapa xhamit diktues të ekraneve “kompetente”, çka pa mëshirë hedh në erë autoritetin dhe dijet e arbitrit. I cili ndërpret lojën deri në 6-7 minuta për të marrë një vendim! Madje, duke arritur deri aty sa që vërshëllen për goditje këndi e mandej shkon e rri 5 minuta te Vari, e kur kthehet, e shndërron goditjen nga këndi në 11-metërsh! I tani një mjedis unik, i çuditshëm.
Para nja nje jave do të mbërrinim deri te “shamatat” krejt të papranueshme të rubrikës sportive midis drejtimit të saj dhe specialistit të Varit. Me kulminacionin e “’duelit” që cënon tejet etikën e një drejtimi të rubrikës në fjalë. Çka në rubrikën e fundit, përveç të tjerave, vetvetiu ngacmon trajnerin e mbasndeshjes, duke mos pyetur aspak për situatën emotive që me të drejtë kalon çdo trajner në mbarim të ndeshjes. Të vjen keq, por jorrallë këto studjo televizive të duken si salla gjyqi përballë të “akuzuarve” trajnerë apo lojtarë të cilët intervistohen pa mëshirë e rreptë. Si të ishin skllevër të studios.
Kam qenë për gati 9 vjet të mira anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH. Po të na ndodhnin kësisoj çudinash jo etike, mblidhej Këshilli e merrte vendime. Ka qenë një Këshill që sa fort i trajtonte edhe pasqyrimet e problematikave sportive të RTSH. Dhe kjo ngaqë asokohe interesi sportiv i publikut ishte i pamatë. Për fat, analizat janë aty, të shkruara e të incizuara…
Ndërkaq, duke iu kthyer Varit, për të cilin kundërshtimet po vijnë nga mbarë bota e futbollit, në Shqipëri ai është vërtet origjinal. Duke qëndruar te ndeshja në fjalë, qe fat i madh edhe për Varin, që ishin vetëm nja 300 a 400 spektatorë. Se po të ishin e pakta nja 5000, Vari, arbitri, Federata vështirë të guxonin të silleshin asisoji. Sepse britmat e spektatorëve do të ndikonin fort.
E pra, përse nuk vijnë? Mos ndoshta veprimtaritë e garave tona kombëtare, nuk janë në duar të sigurta drejtimi? Mbi të gjitha edhe për shkak të zhdukjes së Ligës Kombëtare të Futbollit, e cila lindi, u ngrit, u zgjodh e mandej lehtësisht u shua? Si ka mundësi që drejteusit harrokan që në asnjë vend të Europës kampionatet kombëtare nuk i drejton Federata përkatëse, por Liga në fjalë?
Nuk gaboj kur po guxoj të pohoj (ndonëse këtu nuk ka asnjë lloj guximi), që ndeshja e gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë 2026, kjo Dinamo – Vllaznia vendosi rekordin absolut të numrit më të paktë të spektatorëve në gjithë historinë e gjysmëfinaleve të Kupës Kombëtare. Zot na ruaj po të thyhet edhe ky “rekord” i llojit shqiptar. Ndryshe do të thoshte se ndeshja u zhvillua me dyer të mbyllura.
Ndoshta Federata Shqiptare e Futbollit me Komitetin e saj Ekzektuiv do të mblidhet një herë, një herë të vetme, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme, problematikës që ka të bëjë me braktisjen e ndeshjeve prej spektatorëve shqiptarë. Vërtet? Pyes kështu edhe në fund të këtij shkrimi, sepse po ta bëjë këte do t’i duhet të përmbysë krejt organizimin e tashëm të veprimtarive të futbollit të mbrenda tokës shqiptare. Ngaqë i sotmi thuajse i ka dështuar.


