Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia e femrave pak ditë më parë zyrtarizoi fitimin e titullit të 13-të kampion në 13 vite ekzistencë të saj. Një sukses i jashtëzakoshëm i këtij ekipi që ka bërë mirë jo vetëm në kampionatin shqiptar, por ka shkëlqyer edhe në Kupat e Europës, duke mbërritur madje deri në fazën e grupeve të UEFA Champions League.
Por ne do të ndalemi sot tek pjesmarrjet e saj në kampionatin tonë. Dhe kryesisht tek statistikat e këtij ekipi në 13 vitet e pjesmarrjes së tij. Dhe në fakt ajo çfarë konstatojmë është se ato janë “shifra të frikshme”.
Në 13 kampionatet ku ka marrë pjesë, Vllaznia e femrave ka luajtur në total 257 ndeshje, prej të cilave ka fituar plot 249 ose thënë ndryshe ka fituarr rreth 97 % të ndeshjeve të lumtura dhe kjo tregon për ecurinë e jashtëzakonshme që ka patur ky ekip.
Gazeta “SHKODRA SPORT” konstaton se në 13 vite, vajzat kuqeblu kanë vetëm 6 barazime ku skuadra që i është gëzuar më së shumti dhe që njëkohësisht tregon se ka qenë rivalja kryesore e Vllaznisë, është Apolonia që i ka marrë 5 barazime Vllaznisë. Ndërsa barazimin e gjashtë ia ka marrë Tirana AS.
Ekipi shkodran në 13 kampionate ka të shkruara në letër vetëm 2 humbje, por njëra prej tyre është humbje në tavolinë nga një vendim shumë i diskutuar i Komisionit të Disiplinës për incidentet në ndeshjen ndaj Tiranës. Dhe humbja e vetme në fushë është ajo ndaj ekipit të Gramshit, edhe kjo me shumë kontestime brenda në fakt.
Ndërsa duke u ndalur tek golaverazhi i ekipit Vllaznia femra në këto 13 kampionate, konstatojmë se ai ka shënuar plot 1894 gola dhe ka pësuar vetëm 55! Natyrisht që këto shifra e tregojnë më së miri pse ky ekip “bën ligjin” prej vitesh në futbollin shqiptar të femrave.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



