Sinan Idrizi paralajmëroi largimin pas 30 qershorit dhe kaq ka mjaftuar që Bashkia e Vlorës të vihet në lëvizje. Pas rënies së Flamurtarit në Kategorinë e Dytë, situata në qytet është më shumë se e rënduar. Duke parë ndjeshmërinë e madhe që ka ekipi në Vlorë, institucioni vendor (që është edhe pronari i klubit) po lëviz për të gjetur format që mund të sjellin ringritjen e kuqezinjve.
ADMINISTRATORI
“Panorama Sport” u interesua dje pranë Bashkisë Vlorë për të mësuar diçka më shumë për këtë çështje. Mësuam se kryebashkiaku dhe Këshilli Bashkiak shohin të gjitha opsionet për të gjetur zgjidhje të menjëhershme. Hapi i parë që do të ndërmarrin, është administratori. Me largimin e Sinan Idrizit nga drejtimi i klubit (në fakt i mbaron edhe kontrata e administrimit), duhet që të emërohet pasardhësi i tij. Në këtë rast, bëhet fjalë për një administrator provizor.
Ai do të emërohet nga Këshilli Bashkiak dhe do të jetë pjesë e Bashkisë Vlorë. Ai do të ketë në dorë klubin jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga ajo organizative, që do të thotë: do të jetë administratori që do të ketë akses në emërimin e drejtuese e rinj të klubit, trajnerit të Flamurtarit apo atyre të ekipeve zinxhir.
Bashkia pritet që të hapë një fazë konkurrimi për kandidaturat që mund të paraqiten për këtë post. E megjithatë, administratori i ri i klubit të futbollit Flamurtari duhet që të plotësojë edhe disa kritere. Por, ekskluzivitetin e “vetos” në fund për emrin e drejtuesit të klubit do ta ketë Këshilli Bashkiak.
TAKIMET
Pas rrëzimit të Flamurtarit, në Bashkinë e Vlorës gjërat nuk janë më si më parë. Flamurtari është kthyer në një prioritet më shumë se kurrë. Në këtë kuadër, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Migena Balla, zhvilloi dje një takim me kryebashkiakun Dritan Leli. Qëllimi i këtij takimi ishte situata te Flamurtari dhe gjetja e rrugëve të daljes prej saj.
Mësohet se Leli dhe Balla kanë shprehur gatishmërinë për zgjidhje. Gjasat janë që të zhvillohet një mbledhje këshilli sa më parë, për të diskutuar dhe rrahur mendime për të ardhmen e Flamurtarit. Në zyrën e kryetarit Leli, është parë të ketë hyrë edhe legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, që njëkohësisht është edhe këshilltar bashkiak dhe anëtar i bordit të Flamurtarit. Nuk ka informacion se çfarë është diskutuar mes Lelit dhe Kushtës, por konfirmohet se legjenda vlonjate ka dhënë mendimin e tij për zgjidhjen.
PRIVATIZIMI
Nisur nga situata, bashkia ka vendosur të avancojë procesin e privatizimit. Zyra juridike dhe ajo e financave kanë kontaktuar me homologët e tyre në Bashkinë e Shkodrës. Motivi: duan të ndjekin shembullin e shkodranëve sa i përket privatizimit të klubit të futbollit. Por, për momentin nuk ka asnjë individ apo kompani që të interesohet për të privatizuar Flamurtarin.