Flamurtari arrin akordin me gjashtë titullarë. Fill pasi siguruan matematikisht ngjitjen në Kategorinë e Parë, në klub kanë filluar direkt punën për sezonin e ardhshëm.

Pretendohet rikthimi i menjëhershëm në elitën e futbollit shqiptar, ndaj drejtuesit nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë. Nuk do të kursehen aspak për të ndërtuar një ekip dinjitoz dhe përballuar garën me skuadra si Dinamo apo Skënderbeu.

TITULLARËT

Plani i Sinan Idrizit është i qartë, do të ruajë pjesën dërrmuese të grupit aktual.“Panorama Sport” mëson se në këto ditët e fundit kanë nisur të intensifikohen bisedimet me lojtarët. Drejtuesit do të blindojnë gjysmën e formacionit, pasi janë të kënaqur me çfarë ata dhanë këtë sezon.

Klubi e ka thuajse të mbyllur me Shpëtim Moçkën, i cili do të jetë gardiani vlonjat që do të mbrojë portën edhe në sezonin e ardhshëm, ashtu sikundër edhe me kapitenin Andi Ribaj.

Bisedime kokë më kokë mësohet se ka pasur edhe me lezhjanin Ditmar Bicaj, kavajasin Alked Çelhaka dhe shkodranët Behar Ramadani e Denis Pjeshka.

Që të gjashtë kanë rënë parimisht dakord për të qëndruar te Flamurtari edhe sezonin tjetër. Për eksperiencën që kanë, janë pikërisht këta lojtarë me të cilët drejtuesit do të ulen fillimisht për të nënshkruar kontratat.Këta janë vetëm të parët ama, pasi nga ekipi do të qëndrojnë edhe emra të tjerë dhe shpejt do të nisin negociatat.

MERKATO

Në Vlorë nuk do ta lënë më kaq, pasi do të hyjnë edhe në merkato. Klubi po mendon që të hyjë fuqishëm në tregun e elitës dhe rrëmbejë futbollistë që mund t’i japin një dorë për ngjitjen direkte në Kategorinë Superiore.

Dhe emrat e parë i kanë piketuar qysh tani. Gazeta mëson se “grepat” janë hedhur në Laç. Vlonjatët dëshirojnë Mentor Mazrekajn. Klubi po interesohet vazhdimisht për 33- vjeçarin që ka lindur në Prishtinë dhe dikur ka qenë pjesë e Partizanit.

Anësori e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar dhe ky shihet si “bonus”, por çështja është a do ta bindin që të lërë elitën për Kategorinë e Parë.Në optikën e tyre është edhe ndonjë element tjetër po nga kurbinasit.

Ishte vetë administratori që paralajmëroi se do të bëheshin 5 blerje nga Superiorja, ndërsa prerazi u mbylli dyert vlonjatëve që e kanë parë klubin si bankomat.