Kampionatet e moshave ne futbollin amator ne Zonen e Shkodres jane mbyllur tashme dhe si rrallehere keto vitet e fundit, kemi nje shperndarje te shtate trofeve ne shtate ekipe te ndryshme.

Kjo tregon ne njefare menyre edhe per konkurrencen e madhe qe ekziston ne çdo grupmoshe. Secila Akademia apo shoqate sportive nga ato 17 qe ekzistojne aktualisht ne Zonen e Shkodres, me e reja eshte “Basania Football Club”.

Pasi kemi mbyllur me sukses prononcimet e shtate trajnereve kampione, nga sot, gazeta “Shkodra Sport” do te nis rubriken “Flasin drejtuesit”. Per kete arsye po e startojme kete rubrike nga “me i riu”, presidenti i “Basanias”, z. Ermir Shimaj me te cilin gazeta ka zhvilluar intervisten e meposhtme:

– Keni mbyllur të parin sezon të pjesmarrjes në kampionatet e Ligës Amatore. A keni bërë një analizë të ecurisë së ekipeve tuaja dhe si e gjykoni atë?

Së pari ju falenderoj juve dhe gazetën tuaj për këtë intervistë dhe jo vetëm, por edhe për kontributin e vazhdueshëm në pasqyrimin dhe promovimin e brezit të ri dhe fëmijëve të angazhuar në sport.
Tani t’i kthehemi pyetjes që më drejtuat.

Deri tani kemi bërë analizë të përgjithshme të ecurisë. Duke qënë se për ne sezoni nuk ka mbaruar akoma, sepse vijojmë garen me ndeshjet e play off-it me ekipin e 15 vjeçarëve, ndeshje keto që do të zhvillohen me fituesit e moshës përkatëse të rajoneve të tjera të Shqipërisë, prandaj edhe kemi zgjedhur të fokusohemi totalisht në këtë drejtim.

Analiza e detajuar e të gjithë Akademisë do të bëhet pas mbylljes edhe të kësaj etape. Gjithsesi përgjigja paraprake e kësaj pyetje është se ecuria ka qënë shumë pozitive.

– Suksesi me ekipin U15 ka qenë i pritshëm?

Patjetër! Vetë ecuria e këtij ekipi që ka arritur të marrë 100 % të pikëve përgjatë gjithë kampionatit e deri në finale me të gjitha fitore flet vetë. Duke thënë këtë, patjetër që edhe ne si Akademi u investuam fort tek ky ekip sepse kishim bindjen që kemi fatin e të pasurit të një grupi të talentuarish që kanë kapacitet për të shkuar larg në arritjen e objektivave.

– Cilat janë gjërat pozitive që keni evidentuar në këtë sezon të parë të pjesmarrjes në futbollin amator?

Që në krye të herës, kur flitet për sport gjithmonë ndjesia është pozitive. Futbolli është sport kolektiv e për pasojë ka edhe efektin e socializimit të shoqërisë, prandaj futbolli amator ka merita të mëdha në këtë aspekt sepse masivizimi që përfshin Liga Amatore është thuajse e pazëvendësushme me asnjë aktivitet tjetër socialo-sportiv.

– A ka probleme që keni evidentuar?

Jetojmë dhe zhvillohemi në Shqipëri, prandaj është e lehtë që si në çdo aspekt tjetër edhe në këtë drejtim ka probleme. Jam i bindur se asnjë shqiptar nuk ka nevojë për mend sepse të gjithë e dijnë çka duhet e çka jo porgjithsesi po e shpreh mendimin tim.

Në përgjithësi shoqëria shqiptare dhe ketu përfshihen edhe aktorët dhe faktorët sportiv, duhet patjetër të heqin dorë nga praktikimi i asaj shprehjes “Bëj ça them unë e mos bëj si bëj unë”.

Mendoj se është thuajse jetike për mbarë shoqërinë vet’ndërgjegjësimi i gjithesecilit dhe e bardha nga e zeza duhet të diferencohet patjetër.

Ne si Akademi kemi përgatitur një listë problematikash të hasura gjatë këtij sezoni të parë dhe do t’i bëjmë prezent në formen e propozimeve pranë Ligës Rajonale. Shpresojmë që të gjithë antarët e Ligës Rajonale të tregohen bashkëpunues dhe të gjithë bashkë të përpiqemi të përmirësojmë sa më shumë nivelin e garës së pastër bazuar tek meritokracia. Kush ma shumë se sporti duhet të jetë promotor dhe shembull i meritokracisë në shoqëri??!!

– Cilat janë synimet për sezonin e ardhshëm?

Kjo është pyetja e dëshiruar për çdo të intervistuar. Para një viti kur krijuam “Basania Football Club” folëm për ambicjet dhe synimet tona. Fakt është që nuk kemi qënë të saktë në parashikime sepse arritjet janë shumë përtej parashikimeve tona.

Ndryshe nga një vit më parë kur na duhej të shpreheshim çka do të realizojmë, sot kemi komoditetin që puna kolosale e bërë për vetëm brenda një viti flet vetë për ne si Akademi. Objektivat e sezonit të ardhshëm janë vërtetë madhor, që as në ëndrrat e bukura nuk mund të dilnin kur filluam.

Ama duke ndjekur si zakonisht rregullin e të folurit me vepra dhe fakte të konkretizuara, le tja lëmë kohës dhe në momentet e konkretizimit do kemi mundësinë të flasim e pse jo edhe të festojmë për arritjet.

– Çfarë do të ndryshoni?

Nuk dua ta quaj ndryshim por zgjedh ta konsideroj përmirësim. Patjetër që sot jemi në kushte të tjera mjaft më komode dhe fokusi jonë si Akademi ka qënë vazhdimisht dhe do ta thellojmë akoma më shumë mbështetjen në profesionalizëm dhe patjetër pa anashkalu asnjë moment vlerat njerëzore dhe qytetare.

– Pak ditë më parë me një festë të madhe keni festuar 1 vjetorin e krijimit të “Basania Football Club”. Po i plotëson pritshmëritë tuaja ky projekt që keni nisur?

Të festosh një vjetorin e lindjes së “Basania Futboll Club”, projekt ky që unë dhe jo vetëm, por i gjithë stafi kemi vënë zemrën në dispozicion të këtij projekti tejet të bukur, s’ka si të quhet ndryshe veçse lumturi.

E thashë edhe më lart kemi tejkaluar pritshmëritë, prandaj gjej rastin t’i falenderoj nga zemra të gjithë stafin e Akademisë së bashku me të gjithë bashkëpunëtorët për përkushtimin vetëmohues të gjithësecilit.

Nuk mund të harroj mbi 150 fëmijët dhe familjet e tyre për sadisfaksionin pozitiv dhe kurajon që na kanë dhënë vazhdimisht për të vijuar në këtë projekt kaq fantastik.

“Basania Futboll Club” është projekt bazuar në “Sport & Qytetari” dhe me një supersllogan që e kemi edhe moto të Akademisë. Sllogan që e kemi në uniformat e të gjitha ekipeve “E Nesërmja nis nga sot”.
Çdo ditë kemi jetuar dhe punuar me këtë moto brenda nesh duke u përpjekur fort që e nesërmja të jetë më e mirë si rezultat i punës së bërë sot.

Të flasësh për Basanian është si të flasë një i dashuruar për dashurinë, prandaj nuk po zgjatem ma shumë sepse realisht jam i dashuruar me këtë projekt dhe nuk kanë fund fjalët dhe ndjesia e lumturisë që marr e jap përmes kësaj dashurie me emrin Basania FC.

Në festën e një vjetorit të Basanias me të ftuarit e pranishëm, lamë takim pas një viti në festën e dy vjetorit të Akademisë, ndërsa me ju po lë takim në suksesin e radhës që ju premtoj do të jetë mjaf i shpejtë në kohë.

Ju falenderoj shumë për intervistën dhe ju përgëzoj për punen e mirë që bëni në shërbim të sportit dhe të shoqërisë e patjetër duke ju uru shumë suksese./SHKODRA-SPORT.COM/