Silvio Pagliari, agjenti i mbrojtësit shqiptar Mario Mitaj, foli për “tuttomercatoweb.com” edhe për mbrojtësin e ri kuqezi, që luan në Rusi me Lokomotiv Moskë: “Djali është mirë, marrëdhëniet me klubet janë të mira dhe mund të flasim me qetesi. E presim ne Kampionatin Europian, ku do të ndeshet edhe me Italinë”.

“Ka pasur merkato në janar, por Lokomotiv Moska nuk donte ta linte të largohej. Gjithsesi, jam i sigurt se në verë do të jetë një nlojtar që do të ketë shumë merkato. Jam i sigurt që do të ketë një karrierë të madhe“, tha më tej Pagliari për mbrojtësin kuqezi.

Duke folur për aventurën e Mitaj në Rusi, agjenti i tij shtoi: “Lokomotiv Moska e pagoi 3 milionë e gjysmë. Ata ishin largpamës. Më duhet të falënderoj edhe Sylvinho, trajnerin e kombëtares shqiptare që e ka përdorur gjithmonë si titullar. Do ta shohim edhe në Europian. Mario është një nga më të fortët për moshën që ka, 20 vjeç”.

“Për Shqipërinë, përballja me Italinë në Euro 2024 është një lloj derbi, ata janë të dashuruar me Italinë. Ka një ndjenjë të mrekullueshme mes Italisë dhe Shqipërisë. Kombëtarja kuqezi është vërtet e fortë, nuk je rastësisht i pari në grup. Broja po shërohet dhe Shqipëria nuk shkon me pushime në Europian”, tha më tej Pagliari.