Situata në vend s’është aspak e qetë. Çdo gjë është “paralizuar” në kuadër të masave për parandalimin e virusit “Covid 19” që ka prekur mijëra njerëz anë e mbanë botës, ku as Shqipëria nuk mundi t’i shpëtonte.
Në këtë situatë s’mund të flitet për futboll teksa Federata Shqiptare e Futbollit ka pezulluar çdo aktivitet deri në një njoftim të dytë. Shumë skenare janë përfolur për këtë edicion futbollistik dhe për këtë Newsport.al kontaktoi me presidentin Armand Duka.
A ekziston mundësia që të kampionati të mbyllë dhe të konsiderohet i përfunduar sipas renditjes aktuale? Për këtë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit deklaroi se nuk është asgjë e qartë. Sipas tij, nëse jeta nuk i rikthehet normalitetit do të jetë e vështirë të rikthehet edhe futbolli i luajtur.
“Situata nuk është e qartë. Duhet të shohim zhvillimet dhe të vendosim. Nëse nuk kthehemi në jetë normale, vështirë të themi se kur do të rifillojmë”, përfundoi kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit duke lënë të kuptohet se aktualisht nuk do të ketë futboll në vend.