Damir Gërgiç është njëri nga lojtarët e afruar në merkaton e verës te Kastrioti. Shtatlarti kroat (1.93 metra i gjatë) ka luajtur rregullisht në këto javë të para dhe tashmë është përshtatur mjaft mirë me skuadrën dhe lojën që e karakterizon Kastriotin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi 29-vjeçar flet për ardhjen në Shqipëri, ambientimin, mënyrën e komunikimit me lojtarët dhe gjithçka që i ka bërë përshtypje.

Gërgiç tregon se do dëshironte të luante disa vite në Shqipëri, ndërsa vjen pas eksperiencave në Austri me Klagenfurtin, Rudarin dhe Aluminij në Slloveni, Pune Sity në Indi, si dhe Inter Zapresiç në Kroaci. “Rudi Vata më solli këtu. Ai është miku im për disa vite”, tregon ndër të tjera qendërmbrojtësi duke iu referuar ishkapitenit të Kombëtares shqiptare.


Damir, si jeni pritur nga ekipi dhe sa jeni përshtatur me grupin?

Që nga dita e parë ndihem sikur të jem këtu prej disa vitesh. Lojtarët më pranuan shumë mirë.


Çfarë mund të arrini këtë sezon me Kastriotin?

Ne duhet të punojmë shumë çdo ditë, çdo javë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Duhet të qëndrojmë të qetë, të fokusuar te ndeshjet dhe të bashkuar në momentet e këqija dhe të mira.


Si ju duket kampionati shqiptar në krahasim me atë kroat?

Kampionati kroat është një hap para futbollit shqiptar. Në Kroaci punohet më shumë me taktikën dhe është pak më i shpejtë si futboll.


Në pesë javë skuadra ka grumbulluar 4 pikë. A janë të mjaftueshme?

Sipas mendimit tim, 4 pikë nuk janë të mjaftueshme. Në ndeshjen kundër Egnatias dhe Tiranës mund të kishim marrë diçka më shumë. Nuk më pëlqen kur pësojmë gola nga goditje standarde, siç ndodhi në këto dy ndeshje.


A ka një mbrojtës nga i cili jeni frymëzuar?

Nuk ka asnjë në pozicionin e qendërmbrojtësit që më frymëzon. Por, për mua është Zlatan Ibrahimoviç futbollisti që adhuroj.


Kush jua propozoi Shqiperine per te vazhduar karrieren tuaj?

Ma propozoi Rudi Vata, i cili eshte miku im prej disa vitesh.