Analizë dhe besim tek Vllaznia. Në Shkodër nuk e kanë ulur për asnjë moment ritmin e punës, pavarësisht humbjes së fundit, asaj në Laç. Tashmë vëmendja është përqendruar tek sfida me Apoloninë, megjithatë ditën e djeshme ka patur edhe një analizë tek kuqeblutë. Këtë e ka zbuluar gjatë prononcimit të tij në emisionin “Sport Arena” kapiteni i Vllaznisë Erdenis Gurishta.

“Ne e kemi analizuar ndeshjen me Laçin dhe kuptohet që kemi nxjerrë mësimet e duhura nga ai 90 minutësh. Kuptohet që ne shohim përpara dhe tashmë jemi të fokusuar tek sfida e rradhës me Apoloninë. Duhet të mos i bëjmë më ato gabime që bëmë në Laç dhe të mendojmë për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje sepse është shumë e rëndësishme për ne”- ka thënë ai.

Siç e tha edhe vetë Gurishta, tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar tek sfida e nesërme me Apoloninë. Në pamje të parë është një sfidë e lehtë sepse luhet ndaj skuadrës së vendit të fundit, por Gurishta e mendon ndryshe e për këtë shton:

“Nuk është ndeshje e lehtë sepse nuk ka ndeshje të tilla në fakt. Nuk do ta shohim Apoloninë nga renditja, por ne duhet të shkojmë në Fier për të marrë maksimumin. Duhet ta shohim si një finale, sepse e kemi shumë të nevojshme që pas humbjes me Laçin, të marrim trepikëshin.

Jam i bindur se do ia dalim me sukses, por trepikëshin duhet ta marrim duke dhënë maksimumin në fushë, por edhe me mendimin e qartë për të mos e kërkuar me ngulm fitoren. Sepse goli i fitores mund të vijë edhe në minutën e 80-të, edhe në 90-tën. Pra duhet ta marrim këtë ndeshje me mend në kokë dhe me zgjuarsi.

Nëse kemi marrë vlerësime pozitive deri tani, duhet ta tregojmë edhe në të ardhmen. Për më tepër, duhet të tregojmë forcën tonë pas një humbje. Ashtu siç u ngritëm pas humbjes me Kukësin, kur më pas morëm tre fitore rradhazi, shpresoj që edhe pas humbjes me Laçin të marrim tre fitore rradhazi.

Edhe për ndeshjen me Apoloninë do kemi mungesa. Do të mungojë sërish Dunga, largimi i të cilit në fakt na krijoi disa probleme sepse krijuam një fizionomi loje me dy sulmuesa ai u shndërruar edhe në protagonist me lojën dhe golat që shënoi. Tashmë atij i shtohet edhe Imami e Krymi me kartona, por besoj se do të zëvendësohen si duhet nga lojtarët e tjerë.

Ashtu siç u zëvendësua edhe Adili në ndeshjen me Kastriotin nga Shehi, do të ndodhë edhe këtë herë. Kemi edhe mesfushorë të tjerë të gatshëm për të zëvendësuar edhe Krymin dhe nuk mendoj se do të jetë problem. Ndërsa për Da Silvën do të shikohet deri në ditën e ndeshjes nëse do të jetë i gatshëm apo jo”./SHKODRA-SPORT.COM/