Bekim Rexhepi ka qenë një nga surprizat më të këndshme të skuadrës së Skënderbeut në pjesën e mbylljes së sezonit. Me të në portë, korçarët kanë dhuruar disa nga paraqitjet më të mira në këtë kampionat dhe arritën jo vetëm të siguronin mbijetesën, por edhe praninë në finalen e Kupës.

Një finale që tashmë bardhekuqtë duan ta fitojnë, siç u shpreh vetë Rexhepi në një intervistë për televizionin “Shenja”, ku ka folur edhe për ndryshimin mes kampionatit shqiptar dhe atij maqedonas, si dhe për të ardhmen e tij, meqë është në huazim te Skënderbeu.

“Në Korçë jam pritur shumë mirë nga njerëzit, por kisha edhe disa njerëz tjerë që i njihja më herët dhe adaptimi ishte shumë i lehtë. Sezoni në Korçë në fillim nuk ishte edhe shumë i mirë, pasi nuk kisha edhe ndeshje si startues. Por në ndeshjet e fundit, mendoj jam dëshmuar shumë, kam treguar një pasqyrë të pastër nga ana e cilësive dhe gjërave tjera dhe besoj se ishte shumë mirë për mua.

Tani për finalen e Kupës jemi shumë të përgatitur edhe me trajnerin kemi bërë analizë maksimalisht për ndeshjen. Besojmë se do të shkojmë për një ndeshje shumë të fortë dhe besoj fuqishëm se do të marrim fitoren më të rëndësishme të këtij sezoni.

Kampionati i Shqipërisë të them të drejtën është realisht më interesant se i Maqedonisë, duke parë edhe nga ana e mediave dhe tani bëjmë pak diferencën, pasi Shkëndija në Maqedoni është shumë dominuese, që nuk ndodh që Bellasica ti merr pikë në Tetovë. Ndërsa këtu është më ndryshe si shembull ne i kemi marrë pikë Partizanit, Kukësit e Laçit që kanë qenë pretendent për titull.

Shkëndija ka qenë dominuese në çdo ndeshje sepse ka edhe futbollistët dhe ka cilësitë më të mira se gjitha ekipet në kampionat atje. Të them të drejtën këtu është pak më ndryshe, pasi nuk ka ekip dominues siç është Shkëndija në Maqedoni, por gjithsesi është me merita të plotë Shkëndija që ka dalë kampion edhe më herët që kemi qenë nga 35 pikë para diferencë më vendin e dytë.

Për të ardhmen time nuk kam menduar shumë, pasi jam koncentruar shumë në ndeshjet e kampionatit këtu në Shqipëri dhe mendoj njëherë që të mbarojë kjo e gjitha. Mendoj që do të ulemi me drejtuesit e Shkëndijës njëherë në tavolinë të bisedojmë dhe të shohim se çfarë do të jetë e ardhmja, por besoj që mund të qëndrojë edhe këtu te Skënderbeu, kemi biseduar edhe me stafin dhe presidentin Takaj dhe do të shohim deri në fund se çfarë do të ndodhë”, ishin fjalët e Rexhepit. /vipsport/