Së fundmi klubi krutan ka zyrtarizuar edhe stafin teknik që do të jetë në krah të trajnerit të parë, Emiljano Çela. Ashtu si në kampionatin e kaluar, edhe këtë sezon Bekim Kuli do të jetë ndihmëstrajner i parë.
Ndërsa me largimin e Blendi Bahollit te Laçi, detyrën e trajnerit të portierëve te Kastrioti do ta mbajë Redjan Baku, i cili ka qenë te Vora në Kategorinë e Parë.
Nga ana tjetër, përgatitës atletik krutanët kanë emëruar Ervin Bakun, i cili më parë ka qenë në klube si Laçi, Vora, Internacional Tirana dhe Kombëtarja e
minifutbollit.
Sa i përket stafit mjekësor, si fizioterapist krahas Ervin Rremës, i cili ka qenë edhe sezonin e shkuar, do t’i shtohet edhe Orlando Kastrati, që rikthehet sërish te Kastrioti pas eksperiencës 1-vjeçare me Dinamon.
Ndërkohë, axhenda e skuadrës vazhdon sot me një tjetër miqësore pas atyre të zhvilluara me Tërbunin, Dinamon dhe Besëlidhjen.
Duke qenë se ekipet e Superiores janë zhvendosur jashtë vendit ose në juglindje, alternativë mbeten klubet e Kategorisë së Parë.
Sot Kastrioti do të luajë kundër Besës së Kavajës dhe ndeshja do të nisë në orën 18:00 në stadiumin “Redi Maloku”.
Kujtojmë që përpara se trajneri Çela të merrte drejtimin e Kastriotit, ka qenë në fushë si lojtar i Besës deri në dhjetor 2021.