Adrian Aliaj ka nisur tashmë një tjetër karrierë pas varjes së këpucëve në gozhdë, duke zgjedhur kështu rrugën e menaxherit të lojtarëve.
Në janar arriti të sistemojë Amir Rrahmanin te ekipi i njohur i Napolit, ndërsa zbulon se po punon që të gjejë ekip të mirë edhe për Kristal Abazajn. Ky i fundit la Anderlektin për të ardhur me huazim tek Kukësi, por duket se e ardhmja e tij nuk do të jetë asnjë prej këtyre dy klubeve.
I ftuar në emisionin “Fan Zone”, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare ka folur më tepër rreth Abazajt si dhe ka dhënë edhe këshillën e tij për Marash Kumbullën. Ky i fundit kërkohet nga shumë gjigantë të futbollit Italian dhe atij europian, por sipas Aliajt nuk do të ishte e udhës për të që të shkojë në një klub të madh.
Alternativa e Lazios e kënaq ish-futbollistin shqiptar për Kumbullën dhe kjo falë Tares që i jep një dorë të madhe të rinjve, megjithëse trajneri Inzagi nuk ecën me të njëjtën filozofi.
Këshilla për Kumbullën
“Kam pasur fatin ta takoj atë dhe xhaxhanë e tij. U kam thënë vetëm një gjë: shkoni atje ku djali do të mund të luajë dhe jo te skuadrat e mëdha. Kumbulla është shumë i ri, po flasim për klube ku ka shumë presion.
Dua të flasim si ta bëjmë lojtar, jo të flasim për shifra apo të mburremi se shkoi tek Interi. Lazio? Për Taren po, por jo për Inzaghin. Nuk i mbështet shumë të rinjtë”./sport-ekspres/