Në javët e fundit, në media po lakohet emri i talentit shqiptar që aktivizohet te Olimpiakos, Andrea Ndoj. Talenti shqiptar, kërkohet me çdo kusht nga Greqia dhe pavarësisht se është grumbulluar me Shqipërinë, aktualisht është pjesë e skuadrën helene, por kjo nuk është një zgjedhje përfundimtare e tij.
Diçka të tillë, e ka pranuar për “VipSport.al” babai i futbollistit. Nesti Ndoj u shpreh se djali i tij ka bërë momentalisht një zgjedhje të detyruara pasi të tilla janë rrethanat. Ai pranoi se vështirësitë janë të mëdha, por shtoi se familja e tij ka gjak malësori dhe si të tillë, nuk mund të thyejnë besën duke treguar se dëshira e tyre është ta shohin djalin me fanellën e Kombëtares, atë kuqezi.
Zoti Nesti, djali juaj është kthyer në një çështje në lidhje me zgjedhjen që ka bërë për të luajtur me Greqinë. Si është e vërteta?
Djali im është i vogël për të vendosur dhe është nxënës. Përderisa është nxënës, nuk mund të vendosi vetë por me Shqipërinë nuk kemi asgjë, asnjë llok debati apo mosmarrëveshje por në Shqipëri nuk shkoi sepse këtu ka lindur. Kemi 25 vite këtu dhe justifikohen mungesat e shkolla. Me Shqipërinë shkoi vjet në Maltë dhe iu desh të ngelte në klasë. Më duhej të paguaja një doktor, duke i rënë “gurit e drurit” si thonë. Më duhej të paguaja për të justifikuar mungesat.
Cila është zgjedhja e tij, Shqipëria apo Greqia?
E përsëris që nuk kemi bërë asnjë zgjedhje pasi djali është shumë i vogël. Nuk duam, si unë apo nëna e tij pasi jemi njerëz me taban. Jemi bijë malësorësh, unë nga Shkodra e nëna nga Malësia.
Nuk kemi sharë askënd por na kanë sharë gazetarët e na kanë fyer. Kanë marrë djalin tim në “messenger” dhe e kanë sharë e kjo nuk është aspak normale për një fëmijë. Nuk ka bërë vjedhje as korrupsion. Po luan më këmbët e tij. Ka shkuar vetëm se i justifikohen mungesat, por ende nuk ka zgjedhur.
Dëshira juaj si prind, cila është. Ku doni ta shihni Andrean, te Shqipëria apo Greqia?
Ne… si ta them… po të na dontë shumë Shqipëria ne, do të na mbante atje. Të gjithë po ikin dhe e lënë. Dëshira jonë është të veshi fanellën e Kombëtares, por në një kohë kur Kombëtarja jonë nuk mund t’i japë ato që kërkon fëmijës i bën të rritet në shtetet të huaja. Nuk na pyesin shumë! Nuk janë siç jemi rritur neve.
Na ka folur dikur babai dhe na shkonin lotët rrëke, na ka folur nëna nuk na është dëgjuar më zëri i gojës. Sot nuk të pyesin. Janë rritur me edukatë tjetër! Ne me një palë pantallona, jemi rritur 7 fëmijë ndërsa këta me 750 pantallona duan të tjera. Shohim, pasi shpresat janë për gjithçka në të ardhmen.
Në radhë të parë të ketë shëndetin fëmija, e të tjera rregullohen. Nuk janë gjëra që nuk rregullohen. Unë dua vetëm të eci mirë, t’i shkojnë gjërat mirë dhe mundi i nënës e babës të mos shkojë dëm e të dalë në dritë. Djali tjetër ka luajtur me Greqinë dhe është 14 vjeç. Shëndeti mbi të gjitha, të tjerat vijnë pas.
Siç e thashë, ne jemi malësorë. Origjinën nuk e harrojmë por fëmijët janë rritur këtu dhe dihet se në dhè të huaj nuk pyesin shumë. Kam fëmijë të edukuar por ka gazetarë që shajnë. Mundohen të gjejnë babanë grek apo nënën greke. Nuk e di si i thonë ato fjalë, por nuk ka rëndësi, le t’i mbajnë për vete.
Na kanë mërzitur sepse nuk ke si më shan karakterin kur s’më njeh, kur nuk e di nga na ka lindur “kapica” siç i themi nga vendi im. Nuk ke si më thua gjakprishur. Kurrë nuk i kemi ra hasha Shqipërisë. Vjet ishte djali në Maltë dhe kurrë nuk i biem e nuk e mohojmë gjakun. Jemi malësorë dhe kemi besë të madhe, nuk e thyejmë besën dhe gjakun.
Vetë Andrea, a do të luajë për Shqipërinë?
Andrea është një djalë i përkryer në çdo aspekt. Ai kurrë nuk e ka sharë Shqipërinë dhe nuk e shan. Ai ishte i pari që donte të luante për Shqipërinë. Mungesat nuk ja justifikon askush. Folëm vjet me Beqirin dhe na tha që mungesat nuk mund të justifikohen, nuk mund të japë as një letër.
Atëherë, djali im është ne vitin e dytë dhe nuk mund të lërë shkollën. Ai është 16 vjeç dhe ka luajtur që 5 vjeç futboll. Këto ditë është stërvitur dhe ka luajtur për një edhe me ekipin e parë të Olimpiakosit. Ai ishte titullar në miqësore kundër Olimpiakos U19 dhe luajti një pjesë ku fituan 4-0. Është stërvitur me të rriturit dhe ka marrë vetëm lëvdata nga trajneri. Unë ju falënderoj shumë që u interesuat për të vërtetën për djalin dhe ju uroj vetëm mbarësi dhe suksese në punën tuaj. /vipSport/