Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, në një intervistë për mediat italiane shprehet se për ekipet do të jetë shumë i vështirë rifillimi i aktiviteteve sportive.
Sipas teknikut, mungesa e një faze përgatitore klasike parasezonale do të krijojë shumë probleme për futbollistët.
“ Momenti është jonormal, i jashtëzakonshëm. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që të ndaleshin kaq shumë, duke filluar nga marsi, pa një datë fikse për rifillimin është shumë e vështirë që të ngresh hipoteza e organizosh seanca stërvitore”, shpjegoi ai për mediat italiane ku analizoi problemin kryesor me të cilin do të përballen ekipet.
“Nuk do të jetë mundësia për të bërë shumë miqësore, stërvitjet janë një gjë, ndeshjet janë diçka tjetër. Mendoj për fazën përgatitore klasike parasezonale, ku mund të forcohen këmbët edhe me miqësore të veçanta. Sot do të duheshin padyshim, por nuk ka kohë. Kjo mund të përfaqësojë një faktor negativ për të gjithë”, deklaroi Reja.
Ai është i bindur se Atalanta do të dijë të bëjë mirë edhe në vijimin e sezonit, ndërsa ka një mesazh të veçantë për qytetin e Bergamos që ka vuajtur më shumë se të gjithë këtë situatë të pazakontë e tragjeditë e koronavirusit. “Do të rinisesh dhe do të jesh më i bukur e i fortë se më parë.
Po jetojmë një kapitull të trishtë historik, por po i njoh bergamaskët dhe forcën e tyre. Duke folur nga ana futbollistike, diskutohet për të luajtur me dyer të mbyllura. Nuk do të ishte e bukur, por të paktën të fillojmë të imagjinojmë si do të jetë kur stadiumi të jetë përsëri i mbushur me tifozë”, ishte mesazhi optimist i trajnerit të Shqipërisë.