Mbrojtësi i Laçit Abdurraman Fangaj është njëri prej shtyllave të ekipit kurbinas. Prej 3 sezonesh, anësori 21-vjeçar ka qenë i palëvizshëm nga formacioni bazë i Laçit duke krijuar një skuadër solide, e cila konsiderohet nga rivalët “macja e zezë” e kampionatit. Përveç rezultateve pozitive në këto edicione të fundit, Fangaj ka provuar dhe shijen e futbollit europian duke përfaqësuar Laçin në Europa League.

Në një intervistë për Newsport, futbollisti “i diplomuar” nga njëra prej akademive më të mira të futbollit shqiptar, Vllaznisë, tregon se pavarësisht ndryshimeve të shpeshta në stolin e Laçit, skuadra ka arritur t’u përshtatet filozofive të tyre duke siguruar rezultate premtuese nga java në javë. Përveç “skanimit” të këtij sezoni, Fangaj foli dhe për karrierën e tij, skuadrën e zemrës Vllazninë dhe ambiciet si çdo lojtar i ri premtues.

-Meqënëse ka filluar merkatoja, ke marrë oferta nga ndonjë klub i Superiores apo jashtë Shqipërisë? Do vazhdosh të qëndrosh me Laçin?

Përderisa jam nën kontratë me Laçin, nuk më takon mua të flasë. Ajo është në dorë të klubit.

-Këtë sezon nuk keni patur një sulmues golashënues ndryshe nga vitet e tjera, po keni treguar si ekip që mund të shënoni të gjithë. Realisht, e ndjeni nevojën e nje sulmuesi apo jeni të vendosur të vazhdoni kështu?
Është e vërtetë që është ndjerë mungesa e një golashënuesit, por jemi munduar të gjithëe ta mbulojmë atë pjesë. Shpresoj ta kemi në skuadër një të tillë.

-Një lojtar shumë i rëndësishëm te ju është Ndriçim Shtubina, që sakrifikon shume për ekipin. Çfarë përshtypje keni për të?
Dihen vlerat si futbollist të Shtubinës, pasi e ka treguar prej vitesh që ësht një lojtar kyç për çdo ekip që ka luajtur.

-Keni ndërruar 3 trajnerë pa u mbyllur sezoni. A e dëmton një ekip një ndryshim kaq i shpeshtë në stol?
Normalisht, nuk është mirë për një ekip të ndërrojë 3 trajnerë , por për ne nuk ka qenë problem i madh, pasi me të 3 trajnerët kemi marrë rezultate pozitive.

-Laçi është një skuadër që e kanë të gjithë frikë dhe ndaj ekipeve të mëdha keni marrë rezultate të papritura. Mendon se një ditë Laçi do arrijë të luftojë për titull?
Mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Por, shpresoj që të vijë ajo ditë qe edhe Laçi të luftojë për titull , sepse realisht e meriton për atë që ka dhënë në kampionatin shqiptar duke qenë për disa vite pjesëmarrëse në kupat e Europes.

-Këtë vit ka një garë shumë të fortë për kupat e Europës tani që Teuta është forcuar dhe është futur në “vallen” e 4 ekipeve kryesuese. A është Laçi në gjendje të përsërisë të njëjtin rezultat si vitin e kaluar?
Mendoj që po, pasi e kemi treguar që jemi nje kockë e fortë për çdo kundërshtar.

-Kupa e Shqipërisë eshte objektiv primar këtë sezon apo jeni të përqëndruar te kampionati?
Jemi të përqëndruar në kampionat, por kënaqësi do ishte të ishim finalist edhe këtë vit.

-A ka nevojë skuadra të plotesohet me emra te tjerë në merkato?
Çdo ekip ka nevojë për merkato , por atë e di më mirë klubi.

-Gjatë karrierës tënde, kush janë trajnerit më të mirë dhe më të veçantë që ke punuar?

Nuk mund të veçoj ndonjërin, por mendoj që të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre në rritjen time.

-Kë konsideron lojtarin më të mirë të Superiores? Po në pozicionin tënd?
Lojtari që bën diferencën mendoj që është Asani, për të dytën, unë (qesh)

-Ish- skuadra jote Vllaznia është në rrugën e duhur të rikthimit në Superiore. Çfare përshtypje te ka dhënë kjo Vllazni e këtij edicioni, do arrijë t’i zgjidhë problemet?
Vllaznia është në rrugën e duhur që të rikthehet në Kategorinë Superiore . Shpresoj që t’u largohen problemeve që ka pasur dhe të kthehet aty ku i takon.

-Kombëtarja a mbetet objektiv primar apo ia lë kohës?
Kombëtarja është një ëndërr për çdo futbollist , shpresoj që në të ardhmen të realizohet.

-Nëse do të vinte një ofertë nga jashtë Shqipërisë, në cilin kampionat do dëshiroje të luaje?
Normalisht dëshira është që të luaj në nivele sa më të larta.

-Modeli që të frymëzon, si lojtar cili është?
Mendoj që Lorik Cana ka qenë shembull për çdo futbollist shqiptar./newsport/