Pak ditë më parë ka debutuar në Serinë B italiane duke luajtur të parën ndeshje me ekipin e Veronës. Marash Kumbulla, mbrojtësi me origjinë nga Shkodra është vetëm 18 vjeç dhe duket se ka një të ardhme të ndritur përpara.

Kuptohet se tani është momenti për të shpërthyer. Ai duket shumë i përkushtuar dhe po shfrytëzon momentin e mirë që po kalon duke kërkuar të fitojë besimin e trajnerit të ekipit të parë.

Po kush është Marash Kumbulla?
I datëlindjes 8 shkurt 2000, Kumbulla ka lindur në Itali nga prindër shkodranë që kishin emigruar në këtë vend pas viteve ’90. Futbollin e ka filluar në moshë shumë të vogël.

“E kisha pasion dhe për këtë arsye prindërit më rregjistruan në një ekip futbolli që në moshën 5 vjeç. Ekipi im i parë ka qenë ai Cavalcaselle ndërkohë që në moshën 9 vjeçare jam rregjistruar tek Verona, klub në të cilin vazhdoj të jetë edhe sot pas gati 10 vitesh”- thotë në fillim të prononcimit të tij për “Shkodra Sport” ai.

Para disa muajsh ka firmosur kontratë profesioniste me Veronën, kontratë e cila i zgjat deri në vitin 2002. Luan në rolin e mbrojtësit të qendrës dhe pak ditë më parë rregjistroi ndeshjen e parë me ekipin e parë, ndërkohë që prej javësh ka qenë i gatshëm në pankinë. Meqenëse ka moshën për të luajtur edhe me ekipin e të rinjve, është aktivizuar dy ndeshje edhe me të gjatë këtij sezoni, në mënyrë që të ketë më shumë minuta në këmbë.

Por tashmë që ka debutuar me të rriturit, pret më shumë. Në lidhje me takimin e parë me fanellën e Veronës, Kumbullua shprehet: “Kisha shumë emocione ngaqë ishte ndeshja e parë, por nuk kisha frikë. Shpresoj shumë që në ndeshjet e ardhshme të kem më shumë hapësirë”.

Objektivi i Veronës këtë kampionat është ngjitja në Serinë A dhe shanset i ka për këtë gjë. “Objektivi ky është, kemi një ekip të mirë por në futboll kurrë nuk i dihet. Ne do të tentojmë deri në fund për këtë gjë”- thotë Kumbulla për “Shkodra Sport”

Ëndrrat
Si çdo futbollist edhe protagonisti i këtij shkrimi, ka ëndrrat e veta. “Unë ëndrroj të luaj sa më shpejt në Serinë A, që është edhe një nga kampionatet më të forta në Europë. Po ashtu, ëndrroj të luaj edhe me kombëtaren shqiptare sepse kam luajtur me kombëtaret U17, U19 dhe tani me atë U21, ndërkohë që më ka mbetur të luaj edhe me atë të të rriturve.
Gjergj KOLA