Aleksandër Trumçi po pret lëvizjen e madhe në karrierë. Pas tri sezonesh vërtet të mira me Bylisin, mbrojtësi do të shitet. Kjo është pak, por e sigurt. Janë disa ekipet që kanë shfaqur interes për shërbimet e tij, por duket se Partizani është shumë më pranë. Kanë mbetur edhe disa detaje të fundit që të konkludohet ky transferim, nga i cili do të përfitojë patjetër edhe klubi ballshiot. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22- vjeçari rrëfen se edhe ai vetë do që të luaj për “demat”.
Po flitet kaq shumë për ju në merkato, por Trumçi vazhdon të stërvitet me Bylisin. A do të largoheni apo qëndroni?
Jam bashkuar me skuadrën që në ditën e parë të stërvitjes. Që unë jam nën kontratë me Bylisin, këtë e dinë të gjithë. Është logjike që më duhet ta respektoj si profesionist atë. Por, që të qartësohem. Nuk është se kam ardhur nga halli. Në fund të fundit unë këtu jam si në shtëpi. Në këtë klub kam fituar shumë. Jam ndierë i respektuar në çdo drejtim, aq sa kam mbajtur edhe shiritin e kapitenit në Superiore. Unë jam përpjekur që të bëj maksimumin tim në çdo ndeshje.
Kanë ardhur shumë oferta për ju në klub, si ndihet një lojtar në kushte të tillë?
Më shumë se mirë. Ky është vlerësim. Por në këtë aspekt do ta zgjidh bashkë me klubin të ardhmen time edhe për sa thash më sipër, pasi në Ballsh po bëjnë më të mirën për mua.
Cili është qëllimi juaj, i ke vendosur ndonjë prioritet vetes?
Qëllimi është qe të shkoj në një ekip që unë të luaj, por natyrisht edhe Bylisi të përfitojë. Që kur erdha në Ballsh e pashë si mundësi shumë të mirë për karrierën dhe për t’u rritur. Sot pas tri viteve e them me bindje se ia kam dalë edhe pse kam ende shumë punë përpara. Jam 22-vjeç dhe synoj që të kem progres akoma më shumë në karrierën time.
Janë disa oferta në tavolinë, por duam të dimë që ju vetë ku doni të luani?
Unë falënderoj çdo ekip që më ka në plane dhe padyshim është vlerësim shumë i madh që mua më bëhet. Për këtë kam punuar dhe po punoj shumë. Por nëse zgjedh unë, padyshim që dua Partizanin. Është një klub i madh, me emër dhe me një tifozëri të mrekullueshme.
Po Bylisi i sezonit të ri si ju duket?
Është në habitatin e vet. Një ekip me organikë të plotë edhe në sajë të strategjisë së presidencës dhe ku shumë të rinj që vjet kanë spikatur më shumë te moshat dhe te skuadra U21 kanë shansin që të tregojnë se janë vërtet të talentuar. Po punojmë me trajnerin e ri dhe normalisht që edhe pak kohë me pas do të duket se ku jemi.
Shumë ekipe me traditë dhe me emra do të tentojnë ngjitjen në elitë, sa të vështirë e bën kjo garën për Bylisin?
Bylisi është ekspert në këtë kategori. Me shaka ose pa shaka, do të thosha që ka “master shkencor”. Por, jemi edhe kokulur. Vlerësojmë çdo kundërshtar në fund të fundit, pasi jo më kot po investojnë. Do të jetë vërtetë një kampionat i bukur, pasi në fund të fundit po flasim për klube që kanë kushte shumë të mira. Futbolli ka evoluar shumë dhe normalisht nuk duhet që të quhet më “inferiore”. Në momente mund të duket edhe Superiorja… Ka rivalitet, ka dhe garë dhe stadiume, e natyrisht po rikthehen edhe tifozët.