Florent Hasani ka shënuar sot dy gola në fitoren 3-2 të Tiranës ndaj Laçit dhe ka marrë kreun e renditjes së golashënuesve me 11 gola, duke barazuar Redon Xhixhën. Ai bëhet kësisoj kandidati kryesor për “Këpucën e Artë” në kampionat, por insiston se më e rëndësishme ishte që Tirana iu kthye fitoreve.

“Goli më kishte munguar se kam një muaj pa shënuar. Por grinta dhe festimi i zjarrtë ishte më shumë për ekipin që shënova dhe po riktheheshim te fitorja se na duhej për vetëbesim.

Pas derbit kanë qenë ditë shumë të qeta, stafi e ka menaxhuar shumë mirë situatën se kampionati nuk përfundon me derbin. Kemi edhe 11 ndeshje, stafi ka punuar të jemi më të qetë e fokusohemi te ndeshja. Kjo ishte fitore e rëndësishme që të kthehet vetëbesimi dhe tani të fokusohemi të ndeshja e radhës.

Xhixha më kishte uruar për dy gola, më vjen keq që e barazova por shpresoj të vazhdoj të shënoj edhe më shumë. Faleminderit Xhixhës e gjithë bashkëlojtarëve.

Vendosja në fushë? Janë skema taktike që vendos trajneri, ndjehem mirë në të djathtën edhe si sulmues i fshehtë. Në disa ndeshje na ka ecur skema e disa jo, menduam që të ndryshojmë dhe unë isha në pozItën time, shfrytëzova në maksimum hapësirat. Tani si të vendosë trajneri, do të jem i gatshëm për atë skemë.

Na vjen keq për Patrik pasi çdo mungesë është minus për ne. Kemi të tjerë të gatshëm që ta zëvendësojmë, është mungesë e madhe, urojmë të shërohet sa më shpejt e ne do të vazhdojmë rrugën”, tha Hasani pas ndeshjes ndaj Laçit për “Oversport”.