Vetëm 16 vjeçe por Imela Mala është shndërruar në një lojtare të rëndësishme për ekipin e basketbollit të femrave të Vllaznisë. Ajo jo vetëm është titullare, por shpeshherë edhe protagoniste me lojën dhe pikët e shumta që shënon duke spikatur përkrah lojtareve me përvojë si Dashja e Mustafa apo dhe Bujarit e Daboviç.

Duket se kemi të bëjmë me një lojtare e cila e ka pasion të madh sportin megjithatë përmes kësaj interviste, “Shkodra Sport” do të zbulojë edhe pasionet e tjera të saj.

– Imela përshëndetje. Çfarë është basketbolli për ju?

– Basketbolli për mua tashmë nuk është thjesht një sport, është një pjesë e pandashme e imja, është kthyer në një stil jetese dhe realisht nuk i përfytyroj ditët e mia pa stërvitjen e vazhdueshme, ekipin apo udhëzimet e trajnerëve. Jemi një familje e madhe që na udhëheq pasioni për këtë sport.

– Si ju lindi dëshira për t’u marrë me këtë sport?

– Të jem e sinqertë ka qenë e gjitha rastësi, asokohe unë isha vetëm 10 vjece, kur shikoja motrën që stërvitej me ekipin U-18 të Vllaznisë. Në të vërtetë ka qenë shtysa e profesoreshë Xhuli Shestanit që më bëri të inicioja të gjithën. Sapo fillova stërvitjen, kuptova që ishte kjo ajo që doja dhe ditë pas dite dëshira dhe pasioni për basketbollin rritej brenda meje.

– Cili është modeli që dëshironi të ndiqni me lojën tuaj?

– Në fakt këtu mund të përmend shumë emra të njohur të basketbollit shqiptar apo të huaj të cilët padiskutim kanë lënë gjurmë në historinë e basketbollit dhe ja vlen të merren si modele për ne lojtarët më të rinj.
Por mendoj që çdo lojtar është unik dhe secili prej nesh pavarësisht modeleve që ndjek, sigurisht ka pikat e tij të forta. E rëndësishme është t’i njohim ato dhe t’i zhvillojmë më tej në arritjen e objektivave tona.

– Jeni në moshë ende të re, por po luani si titullare me ekipin e të rriturave të Vllaznisë. Një ëndërr e realizuar më shpejt nga sa keni menduar?

– Po ka qenë me të vërtetë një ëndërr e realizuar më shpejt nga se kam menduar, pasi që prej vitesh luaja në ekipin e të rejave të Vllaznisë dhe kalimi tek të rriturat u bë shumë shpejt dhe në një moshë ende të re.
Një nder i madh për mua si dhe një përgjegjësi e madhe njëkohësisht. Po punoj fort që t’ia shpërblej mundësinë dhe besimin e dhënë profesor Bledarit dhe profesoreshë Afërdites, të cilët gjej rast t’i falenderoj për punën e palodhshme.

– Si i keni raportet me trajnerët dhe lojtaret e tjera të ekipit?

– Do thoja vetëm që përtej anës profesionale sigurisht, jemi një familje. Kemi vite që punojmë me njëri-tjetrin, dhe besoj pa mirëkuptimin, respektin dhe bashkëpunimin e deri tanishëm nuk do ishim këtu ku jemi.

– Çfarë ka të veçantë loja juaj, ngaqë shënoni edhe shumë pikë?

– Unë sa i takon pozicionit tim në fushë luaj në rolin e organizatores.
Bazuar në përshtypjet e marra mendoj se shpejtësia dhe teknika janë dy pika të forta të mijat, të cilat me punë dhe përkushtim kanë sjellur këto rezultate.


– Çfarë ju pëlqen tjetër në jetë?

– Meqënëse akoma ndjek gjimnazin ende nuk kam një ide të qartë për të ardhmen. Basketbolli në vetvete më merr një pjesë të konsiderueshme të ditës, ndërkohë pjesën tjetër ja dedikoj shkollës.

– Deri ku mendoni të arrini me basketbollin?

– Dëshira për basketbollin është e madhe, do doja që po kaq të mëdha të ishin mundësitë dhe oportunitetet, besoj dhe shpresoj shumë që të arrij sa më larg.
© shkodrasport.com