Heiko Herrlich, trajneri i Augsburb, në Gjermani, nuk do të jetë në pankinë në ndeshjen që skuadra e tij luan nesër kundër Wolfsburg. Arsyeja për shumëkënd mund të duket e çuditshme, por në këtë periudhë është një normalitet.

Herrlich ka pranuar se ka shkelur rregullat e karantinës, për të blerë një pastë dhëmbësh. Gjithsesi nuk ka justifikim dhe në konferencë për shtyp ai ka kërkuar falje, për faktin që nuk ka dhënë shembullin e tij në zbatimin e udhëzimeve të autoriteteve.

“Kam bërë një gabim, duke e lënë hotelin. Edhe pse i kam ndjekur të gjitha masat higjienike, si kur kam dalë nga hoteli, ashtu edhe në hotel, nuk mund ta ndryshoj këtë që kam bërë. Duke vepruar kështu nuk isha në gjendje të jem model për ekipin tim dhe publikun.

E pranoj gabimin tim. Për shkak të kësaj sjellje të gabuar, nuk do ta stërvit skuadrën në seancën e fundit dhe nuk do të jem në krye të ekipit kundër Wolfsburg të shtunën”, është shprehur para medieve, trajner i Augsburg, Herrlich. /abcnews/