Me teorinë u njohëm, pavarësisht se protokolli i La Ligës është modifikuar dhe i ndryshuar gjashtë herë deri tani. Po në praktikë si do të zbatohet? A i lejon futbolli këto ndryshime apo po flasim për një transformim total? Gazeta “Marca” ka kontaktuar futbollistët, trajnerët, përgatitësit fizikë, mjekë dhe fizioterapistë të disa klubeve në La Liga për të kuptuar të vërtetën dhe si po ndihen në këtë rikthim të futbollit.

Po i sjellim rrëfimet e tyre në mënyrë anonime, në mënyrë që t’ua bëjmë më të lehtë dhe të jenë më të sinqertë me mendimet e tyre, pa frikën se dikush do t’i përjashtojë apo do t’i pezullojë. Të gjithë thonë se po punojnë duke zbatuar një protokoll, i cili konsiderohet i paqartë, i paplotë dhe i pamundur për t’u zbatuar ditë për ditë dhe kërkojnë që këto rregulla të zbuten, në mënyrë që të çohet përpara dëshira për të luajtur javët që kanë mbetur në futbollin spanjoll.

Të gjithë lojtarët janë të testuar dhe kanë bërë analiza, por vazhdon shqetësimi për rrezikun e së ardhmes dhe paqartësinë se si do të stërviten në grupe dhe mbi të gjitha për fillimin e kompeticionit. Atëherë nuk do të ketë më distanca. Tregojnë se rreziku i prekjes nga virusi nuk është i vetmi shqetësim.

FUTBOLLISTËT – Një futbollist që është rikuperuar nga Koronavirusi dhe që i përket një nga skuadrave më të prekura nga “COVID-19” tregon si po e përjeton rikthimin. “Ndihem mirë me shëndet dhe i sigurt. Për momentin ka rregulla të shumta dhe po i zbatojmë. Kur vijmë në stërvitje na japin maska, na matin temperaturën, nuk kemi kontakte me njëri-tjetrin. Fizikisht është normale që ndihemi keq të gjithë, sepse kemi disa javë që nuk stërvitemi”, thotë ai. Një tjetër lojtar që bashkëjeton me skuadrën dhe lojtarët që kanë kaluar virusin thotë se protokollit i hodhi një sy, sepse nuk kuptohet asgjë dhe po ndryshon në mënyrë konstante.

“Lojtarët që kishin virus janë mirë dhe të shëruar, por nuk duhet të harrojmë që për 2 ditë ata e shpërndanë virusin te 10 të tjerë. Pjesa e stërvitjes është e pakuptueshme sepse unë kam jetuar në pallat dhe nuk kam pasur mundësi të vrapoj përveç biçikletës dhe pistës. Nuk e di se çfarë do të bëhet kur të fillojë kampionati. Kemi qëndruar 2 muaj të mbyllur dhe psikologjikisht jemi të tronditur. Mjekët janë gjithashtu të frikësuar”.

Një tjetër kapiten i një klubi, i cili gjithashtu pati “takim” me virusin tregon situatën. “Jemi të gjithë mirë, askush nuk ka qenë pozitiv, por protokollet po ndryshojnë shpesh. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme për t’u qartësuar. E sigurt është që ne lojtarët nuk pranojmë të grumbullohemi”, thotë ai.

OBJEKTIVAT – Por këto javë që kanë mbetur do të shërbejnë që skuadrat të arrijnë objektivat dhe jo thjesht të luajnë për qejf. Kjo krijon një tjetër problem psikologjik për futbollistët. “Jemi të çorientuar, edhe pse përgatitësi fizik dhe mjeku po na e transmetojnë gjithçka shumë mirë.

Po ndryshohen vendimet me kalimin e ditëve. Duhet të na bëjnë një mbledhje për të na e sqaruar me fjalë, sepse jam i sigurt ashtu si unë edhe shokët e mi nuk e kemi lexuar të gjithë protokollin. Ai nuk kuptohet. Ne futbollistët e kemi kaluar shumë negativisht izolimin sepse mendjen e kishim diku tjetër. Do të luajmë çdo dy ditë futboll dhe do na masakrojnë. Marrin vendimet pa na pyetur ne, në mënyrë të befasishme, gjithçka e pakuptueshme”.

PORTIERËT – A ka menduar dikush për portierët në protokollin e hartuar? Ata kanë nevojë për kushte speciale për t’u stërvitur. Gjysma e portierëve tregojnë se gjatë kësaj kohe kanë marrë shokët në shtëpinë e tyre për t’u stërvitur me top në oborrin e shtëpisë. Thonë se po stërviten vetëm duke vrapuar. Të tjerë portierë kërkojnë një makineri që lëshon topat, por ajo kurrë nuk erdhi. Një nga portierët, skuadra e të cilit lufton për Kupat e Europës, tregon eksperiencën e tij. “Kemi 60 ditë pa prekur një top.

Ne portierët jetojmë me këtë ndjesi. Më bezdis fakti që njerëzit thonë: ‘Me aq para sa fitoni ju, nuk keni probleme’. Ndonjëherë trajtohemi si robotë, por nuk kuptojnë që për ato para që fitojmë kemi punuar dhe kemi sakrifikuar. Kemi familje dhe të drejtat tona si punonjës”, sqaron portieri.

Një nga gardianët më me eksperiencë në La Liga tregon se kanë bërë vetëm ushtrime force për të mbajtur trupin dhe për të ruajtur masën muskulore, por asgjë më shumë. “Tani stërvitemi veçmas dhe me një trajner portierësh duke ruajtur distancën. Nuk kemi portierë të tjerë që të godasin topat nga larg dhe të na ndihmojnë. Mund të përdorim vetëm një top. Është e çuditshme”, thotë ai.

TRAJNERËT – Një nga trajnerët e skuadrave të mëdha në Spanjë thotë se rikthimi i futbollit është pozitiv. “Futbolli është më i rëndësishëm nga sa duket. Jemi ne që do të largojmë frikën dhe të hapim dyert për rinisjen. Po përpiqemi të ecim të sigurt, por gjërat po ndryshojnë përditë.

T’i qëndrojmë me përpikmëri protokollit që na është dhënë, është e pamundur. Nuk është asgjë e kuptueshme. Komunitete të ndryshme nuk duhet të kenë të njëjtat rregulla. Edhe për ne është e vështirë sepse thjesht dimë që nesër do të stërvitemi dhe vetëm kaq. Nuk e dimë sa autobusë do të na duhen nëse do të qëndrojmë me 5 vende bosh të ulur. Lojtarët po stërviten me përkushtim, por nuk e dimë çfarë do të ndodhë”. Pako Hemez, trajner i Rajo Vajekanos, kërkon që të mos mbetet anonim.

“Jemi shumë mirë të gjithë dhe kjo është e rëndësishme. I kanë lënë vendimet ne dorën tonë dhe të mjekëve dhe nëse ndodh gjë, nuk duhet t’i kërkojmë llogari La Ligës. Lojtarët stërviten vetëm, prekin topin, por pa e pasuar te tjetri. Në fund të fundit La Liga kërkon të marrë kohë. E vërteta është që këtë garë nuk e nisin më si të barabartë.

Ka shumë lojtarë që kanë humbur të afërm dhe miq në këtë luftë, disa që kanë jetuar në pallat dhe të tjerë në vila. Lojtarët e disa skuadrave kanë antritrupa dhe e kanë luftuar virusin. Unë si detyrë kam të motivoj lojtarët dhe t’i bind që nuk kanë rrezik. Si mund ta bëj këtë gjë unë? Ata nuk janë budallenj. Këto vendime po merren për çështje parash dhe shëndeti nuk po llogaritet”, tha trajneri. Më kritik është një tjetër trajner spanjoll i La Ligës.

“Në Gjermani nuk ka pasur kurrë izolim total dhe lojtarët mund të dilnin dhe të stërviteshin. Për këtë arsye Bundesliga filloi më shpejt. Në Spanjë nuk na u lejua të stërviteshim. Në futboll nuk mund të ruhen distancat dhe këtë duket se e kanë harruar. Në një zyrë apo në një farmaci mund të ruash distanca, por jo në futboll. Mjaft me demagogji duke përdorur futbollistët. Lojtarët po marrin rrezik të madh, por duhet parë kjo histori. Në Francë vendosën që ta mbyllnin kampionatin sepse një lojtar i Montpeliesë ishte në rrezik për jetën.

Nuk po mendohet aspak për dëmtimet e rënda”, sqaron ai. Një nga trajnerët që do të luftojë për mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll flet me skepticizëm për stërvitjet. “Nuk mendoj se këto javë do të na shërbejnë për t’u rikthyer në gjendje optimale. Java e parë ka qenë kot, me analizat për rezultatet, ndërsa as për dy javë nuk na lejohet të bëjmë stërvitje normale. Çdo ditë duhet të ndryshojmë. Madje dyshoj që të gjitha skuadrat do t’i zbatojnë me përpikmëri të gjitha rregullat”, thotë trajneri.