Në turin e parë, futbollistët e Vllaznisë morën impuls për të përmbysur rezultatin 1-3 të ndeshjes së parë ndaj Shiroki Brijeg, pikërisht për shkak të gjykimit tendencioz të arbitrit rus Aleksei.
Por shkodranët tashmë duhet të përballen me një tjetër kundërshtar: Trajnerin e AEL Limasol, i cili në fakt kishte shpresuar shumë që përballë në këtë tur të mos ishte Vllaznia, por Shiroki Brijeg dhe ai e ka një arsye.
Trajneri i AEL Limasol është Dushan Kerkez. 45 vjeçari që ka lindur në Beograd, por me shtetësi nga Bosnjë- Hercegovina, ka dëshiruar që kundërshtar në turin e dytë të “Conference League” të kishte Shiroki Brijeg dhe jo Vllazninë.
Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur edhe për mediat qipriote, por në fakt kjo dëshirë e tij nuk është realizuar dhe tashmë duhet t’i bëjë planet për t’u ndeshur me kuqeblutë e Thomas Brdariç më 22 dhe 29 korrik.
Kerkez në fakt e ka dhënë një parashikim të shkurtër për “kerkida.net” në lidhje me ndeshjen e të enjtes së ardhshme ndaj Vllaznisë teksa ka thënë se “AEL Limasol fiton 2-0”.
A do t’i dalë parashikimi? Për këtë duhet pritur edhe katër ditë. Trajneri serb me origjinë nga Bosnjë- Hercegovina, ka disa vite që jeton në Qipro. Ai ka luajtur fillimisht për disa sezone në fundin e karrierës së tij pikërisht me skuadrën që drejton aktualisht.
Pas lënies së sportit, ka marrë detyrën e menaxherit të ekipit U21 të AEL, për të kaluar pak kohë tek Anorthosis, e për t’u rikthyer sërish tek AEL ku fillimisht ka kryer detyrën e drejtorit teknik, më pas të trajnerit U21, ndërsa prej tre vitesh drejton ekipin e parë./SHKODRA-SPORT.COM/