Shqipëria po bëhet gati të presë një nga eventet më të mëdha futbollistike, finalen e UEFA Europa Conference League, që do të luhet më 25 maj në stadiumin “Air Albania”. Kjo është një ngjarje e madhe dhe historike për vendin tonë, pasi kampioni i parë i këtij kompeticioni pritet të kurorëzohet në Tiranë.

Për të folur më tepër rreth detajeve të këtij eventi madhor, që pritet ta vendosë Shqipërinë në qendër të opinionit botëror për disa ditë, të ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, kanë qenë dy zyrtarët e FSHF, Fatjon Kodra dhe Edlira Jaupaj.

Kodra u shpreh se puna për këtë finale ka nisur shumë herët, ndërsa theksoi se është bërë një punë voluminoze nga ana e FSHF, për të sjellur këtë ndeshje në Tiranë.

“Shqipëria nuk ka pritur kurrë më parë një aktivitet të këtyre përmasave, qoftë për nga rëndësia që ka, qoftë për nga operacioni masiv që ka nisur që para dy vitesh dhe që do të kulmojë me ditën e ndeshjes. Vendimi i UEFA për ta organizuar këtë finale në Shqipëri është marrë në 2020, por puna në terren ka nisur më herët, me delegacione të këtij institucioni që janë siguruar paraprakisht, që vendi ynë mund ta organizojë këtë finale.

Është bërë një punë voluminoze nga ana e FSHF për të fituar këtë ndeshje, pasi nuk funksionon thjesht me një aplikim, por është plotësuar një dokumentacion shumë i madh, që i është paraqitur UEFA. Që prej fillimit, kur është vendosur që kjo finale do të zhvillohet në Shqipëri, por edhe më herët, janë bërë kontrolle dhe vizita, që vendi ynë i plotëson kushtet për të pritur këtë ndeshje, teksa vazhdojnë dhe bëhen ende.

Jo vetëm ky event vjen për herë të parë në Shqipëri, por edhe programi i vullnetarëve vjen për herë të parë në Shqipëri, ku 400 vullnetarë do të mbulojnë 32 funksione të ndryshme. Kemi rreth 2800 aplikime nga njerëz, që dëshirojnë të jenë vullnetarë në këtë finale dhe pjesa më e madhe janë të huaj. Është bërë sistemi i aplikimeve të vullnetarëve, çdo gjë është online, në faqen zyrtare të FSHF, ku çdokush merr informacionin e nevojshëm për këtë detyrë.

Ne jemi fokusuar që këta vullnetarë të jenë shqiptarë në këtë ndeshje, pasi duam që kjo eksperiencë të mbetet këtu dhe kemi si synim që të kemi një sektor në FSHF për vullnetarët, të cilët do t’i kemi mbështetje në evente dhe evente të rëndësishme të institucionit. Interesi ka qenë shumë i lartë nga studentët dhe jemi fokusuar te ta, me synimin që kjo eksperiencë të vazhdojë dhe ta shpërndajnë te miqtë e tyre.

Me ardhjen e përfaqësuesëve të UEFA në Tiranë, të gjithë do të nisin trajnimet në disiplinat përkatëse. Pas përfundimit të finales, pra më 26 maj, vullnetarët do të pajisen me një çertifikatë të vlefshme, që njihet në të gjithë botën, e firmosur nga vetë presidenti i UEFA, Aleksandër Çeferin dhe presidenti i FSHF, Armando Duka.

Padyshim që, Shqipëria fiton shumë, jo vetëm financiarisht, por edhe nga ana e imazhit. Në terma ekonomikë përfiton shumë, parashikohet që mund të gjenerojë diku te 140 milionë euro, që nga fluturimet ajrore, taksat aeroportuale, transporti, hotelet, akomodim, ushqim etj.

Në mbledhjet e UEFA, na është thënë që do jenë 21.000 tifozë, aq sa do të jenë në stadium. Kjo është minimalja, pasi mund të shkojë deri në dyfishin e këtij numri të tifozëve në stadium. Ne jemi të përgatitur për të pritur një fluks tifozësh ato ditë.

Dy skuadrat finaliste do të kenë nga 4000 bileta në dispozicion, ndërkohë që publiku i përgjithshëm do të ketë në dispozicion 8000 bileta dhe pjesa tjetër është e UEFA, që e menaxhon në nivel protokollar. Vetë UEFA synon që të ketë sa më shumë shqiptarë, sepse luhet në Shqipëri dhe biletat të bliheshin nga vendasit, por kërkesat janë të larta nga jashtë. Biletat mund të blihen vetëm online në faqen zyrtare të UEFA. Ka nisur prenotimi i biletave, ndërsa për pak ditë pritet të nisë shitja e tyre.

Ditët para finales pritet të jenë rrëmujë, për shkak se pritet të vijnë shumë njerëz, por janë marrë masat, duke qenë se përgjatë gjithë kësaj kohe, jemi fokusuar edhe te siguria e ndeshjes. Kemi bashkëpunuar me Policinë dhe me kompani sigurimi private që çdo gjë të jetë në rregull, që nga momenti që zbresin në aeroport, deri te momenti që hyjnë në stadium. Vetëm perimetrit të stadiumit “Air Albania” pritet të jenë diku te 650 forca security, ndërsa jashtë stadiumit do të ketë forca policie.

UEFA dhe FSHF ka bërë disa trajnime me Policinë, Shërbimin Zjarrfikës, Urgjencat Mjekësore, Kryqin e Kuq dhe vazhdojnë të bëhen akoma. Është një punë voluminoze dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë, pasi ky është vetëm fillimi për të pritur të tilla aktivitete kaq madhore.

Në stadiumin “Air Albania” do ketë shumë ndryshime që do të jenë provizore. Rreth 10 ditë para finales, UEFA “do të marrë në dorë” stadiumin dhe pas finales, stadiumi do të jetë siç është aktualisht. Në stadium do të vendosen dy ekrane gjigande, në mënyrë që tifozët të kenë mundësi të shikojnë nga ekranet ndeshjen.

Do të vendosen dy studio televizive, që do të jenë në dy tribunat jugore dhe veriore, për të krijuar pamje nga fusha. Do të ketë një transformim të tribunës kryesore dhe do të trefishohet kapaciteti për median, pasi interesi është shumë i lartë”,-tha gjatë prononcimit të tij, zyrtari i FSHF, Fatjon Kodra.

Maringlen ZHIVANI