Ekipi i Hibernian fitoi pastër 3-0 sfidën e javës së 17-të në Skoci përballë Aberdinit, dhe autor i golit të tretë të takimit ishte shqiptari Florian Kamberi.

Pas dopietës së Boil në minutat 52 dhe 68, Kamberi shënoi golin e tretë dhe atë të hipotekimit të fitores në minutën e 74-t.

Shqiptari, që u thirr për ndeshjet e nëntorit ndaj Francës dhe Andorrës nga Edi Reja, por që për fat të keq nuk ishte gati për Kombëtaren prej dokumentacionit, u fut nga e majta, duke dribluar plot 3 kundërshtarë. Pasi u fut në mesin e zonës, Kamberi goditi bukur me të djathtën dhe topi përfundoi në fundin e rrjetës.

Në fund, Hibernian mori një fitore me shumë vlera, dhe tani shkon në vendin e gjashtë me 22 pikë, ndërsa ky ishte goli i tretë në kampionat për Kamberin.