Kampioni ynë i boksit, Florian Marku, me të cilin një Shqipëri e tërë krenohet kur emri i tij përmendet në ring, më 25-gusht do të ndeshet në stadiumin “Air Albania” ndaj boksierit meksikan, Miguel Ramirez.

Sfida do të jetë e vlefshme për titullin kampion bote në peshën “Welter”, WBC Silver. Stadiumi “Air Albania” pritet të mbushet plot në këtë sfidë emocionuese dhe padyshim që ai shihet si favoriti i kësaj përballjeje. Kampioni nga Lushnja ka dhënë një intervistë të cilën e ka bërë publike në faqen e tij të Facebook, duke folur pak rreth vetes së tij.

Marku u shpreh se e kishte lënë shkollën në moshën 14-vjeçare për t’iu dedikuar sportit të boksit, ndërsa theksoi se një ditë e priste se do të kishte një sukses kaq të madh sa ka sot.

“E kam lënë shkollën në moshën 14-15 vjeçare për t’iu dedikuar 100% sportit të boksit. Asokohe i thashë familjes time se për këtë vendim që mora do të shpërblehem një ditë, pasi do të paguhem mirë nga ky sport dhe do të jetojmë më mirë.

Asokohe, familja ime nuk më kuptonte, por ja ku jemi sot. Familja ime është më shumë se kurrë pranë meje, më kupton dhe më mbështet.

Do të dëshiroja të isha më i qetë, si në sportin e boksit ashtu dhe në jetën e përditshme. Të mos isha flakë, ashtu siç i themi ne, gjaknxehtë”,-tha gjatë prononcimit të tij, kampioni i boksit, Florian Marku.
Maringlen ZHIVANI