Sherri në fund të ndeshjes mes Vinicius dhe Lamin Jamal ishte një “larje hesapesh” mes lojtarëve të cilët ishin përplasur shpesh gjatë sfidës në fushën e lojës.

Në fund të ndeshjes Vinicius u desh të mbahej nga shokët e skuadrës pasi iu vërsul spanjollit i cili po e ftonte për duel jashtë. Por sherri mes tyre kishte nisur që në startin e pjesës së dytë, kur sipas “DAZN” kishte një bashkëbisedim në fushë.

Braziliani i ishte drejtuar spanjollit me fjalët “Gjithmonë flet jashtë, gjithmonë flet jashtë. Fol këtu!”. Thumbime të cilat nuk kishin gjetur përgjigjen e spanjollit, me Vinicius i cili më pas nuk kishte ngurruar të lëshonte një tjetër në adresë të djaloshit 18-vjeçar.

“Sot jep vetëm pasime mbrapa”, ishin fjalët e tij ndaj Jamal, i cili në asnjë moment të ndeshjes nuk u duk i rrezikshëm për portën e Kurtua. Dhe pas ndeshjes, nervat e të dy lojtarëve nuk mbajtën, duke sjellë atë shpërthim nervash.