✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Ka shkëlqyer në fazën e parë të ligës së dytë në Rusi, duke qenë futbollisti më i mirë jo vetëm i skuadrës së tij, Fakel, por mbarë kampionatit. Fjala është për Belajdi Pusin, i cili me ekipin e Fakel në Rusi ka arritur të shënojë 13 gola në 21 javë të luajtura deri më tani. Që përkojnë pak më shumë se gjysma e kampionatit në ligën e dytë ruse, ku në total zhvillohen 34 ndeshje.
Me kampionatin i cili ndalon në muajt e dimrit, për shkak të temperaturave të ulëta në Rusi, për t’u rikthyer në fillimin e marsit. Megjithatë për t’u kthyer tek Pusi, shkodrani po përjeton një sezon ëndrrash me fanellën e Fakel.
Ku po udhëheq skuadrën bardheblu drejt ngjitjes në Superligë e Rusisë për sezonin e ardhshëm. Me Fakel që pas 21 raundesh ndodhet në vendin e parë me 48 pikë të grumbulluara. Duke qenë kështu i shkëputur 7 pikë ndaj Ural të vendit të dytë që ka marrë 41 pikë deri më tani.
E në këtë mënyrë duke qenë pretendent absolut për ngjitjen në Superligë sezonin e ardhshëm. Për këtë një rol kryesor dhe thelbësor ka luajtur pikërisht 27-vjeçari shkodran, që është golashënuesi më i mirë i kampionatit me 13 gola të shënuar deri më tani.
Performanca e shkëlqyer e Pusit sipas mediave ruse ka tërhequr vëmendjen e skuadrave më të mëdha në vend si Zenit, CSKA Moskë, Lokomotiva apo edhe Rubin Kazan. Që duket se janë të gatshme të bëjnë “çmendurira” në merkato për të afruar në gjirin e tyre ish-sulmuesin e Vllaznisë.
I cili nga ana e tij në treg tashmë vlerësohet me një shifër prej 800 mijë eurosh, por ekipet e sipër përmendura mendohet se mund të japin deri në dy apo trefishin e kësaj shume për të siguruar Pusin në merkaton e janarit.
Megjithatë duket se Fakel do bëjë rezistencë për shkodranin, jo vetëm për aspektin sportiv ku Pusi është futbollisti kryesor i një skuadre që po tenton ngjitjen në Superligë, por edhe atë ekonomik. Pasi me një formë të tillë në verë Pusi mund të shitet për miliona euro.
Pavarësisht se janari pritet i “nxehtë” për sulmuesin, i cili me formën që ka treguar do ketë një “lum” ofertash në drejtim të tij.















