Shkruar nga Endri ÇINARI
Dyshja Lirim Kastrati – Sherif Kallaku po konfirmon javë pas jave pse në startin e këtij edicioni konsiderohej një nga pikat më të forta të Vllaznisë. Sot, pa asnjë diskutim, ata janë shndërruar në lojtarët kyç të skuadrës shkodrane, duke marrë mbi supe peshën e lojës dhe duke udhëhequr ekipin drejt objektivave madhorë. Ajo që në verë shihej si pritshmëri, tani është realitet në fushë.
Si sulmues krahu me shpërthim dhe vertikalitet, Kastrati i jep Vllaznisë thellësi, shpejtësi dhe rrezik konstant në krahë. Ndërkohë, Kallaku, në rolin e fantazistit, është truri i skuadrës, lojtari që lidh repartet dhe i jep kuptim manovrës sulmuese. Kur të dy janë në formën e tyre optimale, ritmi i lojës së kuqebluve ndryshon dukshëm, duke e bërë ekipin më kreativ dhe më të paparashikueshëm për kundërshtarët.
Kjo është reflektuar qartë edhe në javët e fundit të kampionatit, ku dyshja “K-K” ka qenë vendimtare në fitoret e skuadrës së drejtuar nga Martini. Jo rastësisht, Kastrati dhe Kallaku kanë ndarë mes tyre çmimin e futbollistit të ndeshjes, duke treguar jo vetëm ndikimin individual, por edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në fushë. Performancat e tyre kanë sjellë gola, asistime dhe mbi të gjitha qetësi në lojën e Vllaznisë.
Tashmë, me hyrjen në gjysmën e dytë të sezonit, forma dhe niveli i kësaj dysheje merr një rëndësi edhe më të madhe. Ambiciet e Vllaznisë për titullin kampion kalojnë drejtpërdrejt nga këmbët e Kastratit dhe vizioni i Kallakut. Nëse “K-K” arrin të ruajë këtë vazhdimësi dhe nivel, kuqeblutë kanë çdo arsye të besojnë se sezoni mund të mbyllet me trofeun aq shumë të dëshiruar nga Shkodra.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


