Pasditen e sotme do të luhet ndeshja e fundit e javës së 11-të të kategorisë Superiore, ajo në mes Vllaznisë dhe Bylisit. Dy skuadrave që janë konsideruar jo më kot surpriza e këtij sezoni, nisur nga paraqitjet e mira që kanë bërë deri tani.

Kuptohet që duke luajtur në Shkodër, kuqeblutë do të tentojnë me çdo kusht që ta fitojnë këtë ndeshje, pavarësisht problemit të mungesave të disa lojtarëve.

Megjithatë trajneri Jonuz dhe stafi i tij e kanë bërë tashmë gati skuadrën dhe janë gati për të zbritur në fushë dhe për të kërkuar suksesin i cili do t’i ngjiste kuqeblutë në kuotën e 18 pikëve, në vendin e dytë në renditje.

Kështu, në portë sot do të jetë sërish Sherri pavarësisht oshilacioneve të shfaqura në ndeshjet e fundit. Në mbrojtje ndërkohë risia do të jetë aktivizimi i 19 vjeçarit Lekaj në krahun e djathtë të saj, ndërsa në qendër do të jetë dyshja e zakonshme Shehi- Malota ndërsa në të majtë do të luajë Ualusimbi.

Në qendër të mesfushës, në mungesë të Ramadanit e Gligorov, këtë herë do të jetë treshja e përbëra nga Krymi, Marku e Kruja, ndërsa sulmi pritet t’i besohet Likës, Shtubinës dhe Zogajt. Ky i fundit duket më pranë formacionit sesa Uenderson, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë lëvizje të fundit.

Vetë trajneri Jonuz dje u shpreh se do të ketë lojtarë të rinj në fushë për këtë takim e po ashtu shprehu besimin se ata do të japin më të mirën për Vllazninë që ajo ta fitojë këtë ndeshje shumë të rëndësishme të kampionatit.
© shkodrasport.com