Ndryshe nga sa u mendua në fillim të javës, formacioni i Vllaznisë për ndeshjen e rradhës ndaj Partizanit, do të jetë disi më i plotë. Natyrisht që nuk do jenë shtatë mungesa sa u mendua fillimisht por tre ose katër. Kësisoj, të sigurtë që do të mungojnë janë mbrojtësi Pjeshka, mesfushori Hasani dhe sulmuesi Atsina. Por lajm i mirë është rikthimi i mesfushorit Ardit Krymi. Klubi shkodran duke parë problemet që kishte me mungesat, ka marrë përsipër shlyerjen e pagesës për heqjen e gjysmës së dënimit që kishte marrë nga Disiplina dhe për këtë arsye, do të jetë në fushë nesër ndaj Partizanit.

Po ashtu, të rikuperuar duken edhe Tafili, Çinari e Marku dhe të tre ata do të jenë të gatshëm për trajnerin Gjoka. Këto padyshim që janë lajme të mira për ekipin shkodran sepse skuadra duket më e plotë për këtë sfidë. Gjithsesi, një tjetër futbollist që nuk ka udhëtuar me ekipin drejt Tiranës është edhe mesfushori Arsid Kruja. Ai ka marrë leje në klub sepse pikërisht sot ka qenë në Zvicër për gjyqin që ai ka të hapur me ish-klubin e tij të mëparshëm, atë Al Hajer të Arabisë Saudite. Gjithsesi, formacioni me të cilin Vllaznisë do të zbresë në fushë mesditën e së premtes ndaj Partizanit pritet të mos ketë justifikime për marrjen e një rezultati pozitiv. Rezultat ky që padyhshim do t’a bënte skuadrën shkodrane t’i festonte më e qetë festat e fundvitit por edhe të mendonte më ndryshe për ecurinë e saj në vitin e ardhshëm. Partizanit vërtetë nuk po kalon një moment të mirë por është një skuadër me përbërje cilësore dhe shkodranët padyshim që duhet ta vlerësojnë maksimalisht, në mënyrë që të marrin ndaj tij rezultatin e duhur.

© shkodrasport.com