Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i pranishëm në studion e emisionit, Rubrika Sportive në RTSH, ka folur për ecurinë e skuadrës kuqeblu, për fitoren më të fundit, atë me Tiranën, 1-0 në “Loro Boriçi”.
“Klasikja gjithmonë e ka veçorinë e vet, për mua është maja e futbollit shqiptar. Një e veçantë është se të gjitha të ardhurat nga biletat do të transferohen tek autoritetet turke, si një ndihmë për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Mendoj se shuma e mbledhur shkon tek 15 mijë apo 16 mijë euro, besoj se ia kemi arritur qëllimit, në ditët në vazhdim besoj se do të behet e ditur shuma e saktë, për transparencë”.
“Tek ndeshja me Tiranën u munduam që në fillim të japim një qetësi dhe të karikojmë lojtarët se kjo është një ndeshje radhës. Ishte një ndeshje që kush bëri më pak gabime fitoi dhe ndeshjen. Më e rëndësishme është se morëm atë që na interesonte, tri pikët”.
“Mendoj se duhet të vazhdojmë të ruajmë qetësinë, stabilitetin, të qëndrojmë me këmbë në tokë, në mënyrë që ndeshje pas ndeshja të marrim tri pikët. Me dy ndeshje mund të shkosh lartë, por mund të shkosh edhe poshtë. Kthimi i Latifit i jep një tjetër dimension lojës, por edhe Boshnjaku gjithashtu, presim dhe rikthimin e dy qendërmbrojtësve”.
“Kemi patur eufori në moment të caktuara, që na kanë dëmtuar, më saktë oshilacione. Është dashur që në moment të caktuara të përkushtoheshim akoma më shumë. Kënaqësi? Fitoret me skuadrat e kryeqytetit janë gjithmonë një kënaqësi. Na kanë dhënë gjithmonë një kënaqësi të jashtëzakonshme”.
“Balaj? Nuk e kishim parashikuar, por u realizua dhe i ka shërbyer ekipit. Është një këshilltar i mirë dhe jashtë fushe. Nuk kam ndonjë peng për merkaton, mendoj se kemi vepruar mirë”.