“Shikoj tri skuadra që do të rivalizojnë deri në fund”, kështu mendon Shkëlqim Muça, i ftuari i përhershëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i cili ka analizuar javën e 21-të të “Abissnet Superiore”.

“Kampionati bëhet më i bukur kur ka shumë skuadra që rivalizojnë, si në pjesën e sipërme ashtu dhe në atë të poshtme të klasifikimit. Bashkë me Tiranën dhe Vllazninë mendoj se është dhe Partizani që do të luftojë për titull, këto tri skuadra do të rivalizojnë”.

Fitorja kuqeblu në klasike – “E rëndësishme është që u rikthyen tifozët, shpresojmë që të vazhdojnë kështu sepse Vllaznisë i duhen tani. Edhe ndeshja e justifikoi, ishte e luftuar nga të dyja skuadrat. Në pjesën e parë, Tirana ishte një hap përpara Vllaznisë, kuqeblutë bënë gabime. Në pjesën e dytë ndodhi e kundërta, Vllaznia rikuperoi dhe administroi mirë.

Është e qartë, Josa po përdor lojtarë që kanë kondicionin e tyre më të mirë, i funksionoi mesfusha mirë. Ishte një arritje, se në një ndeshje të tillë kështu ndodh. Ishte si një ndeshje e barabartë, por them që kjo fitore e kuqebluve e zbukuroi kampionatin.

Vllaznia do të përforcohet akoma më shumë me rikuperimin e mbrojtësave. Mendoj se duhet të jetë më cinike në ndeshjet jashtë, në ato të konsideruara si të lehta”.