Vllaznia do të zhvillojë sot stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes me Tiranën, teksa trajneri Mirel Josa do të provojë edhe një herë formacionin, i cili pritet të luajë të dielën në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Megjithatë, në seanca e fundit është parë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në krahasim me ndeshjen ndaj Kukësit. Nga porta në sulm, trajneri do të rikonfirmojë titullarët, të cilët ia dolën të zgjidhnin ndeshjen e javës së fundit që në pjesën e parë.
Me Bojan Zogoviçin në portë, Josa i jep besim sërish mbrojtjes me Geralb Smajlin në të djathtë, kapitenin Erdenis Gurishta dhe Dajan Shehin në qendër, si dhe Esin Hakajn në të majtë.
Në mesfushën me tre lojtarë, si digë përpara mbrojtjes do të jetë Rejan Alivoda, ndërsa afër tij dyshja e golashënuesve kuqeblu (nga 5 gola secili): Fjoart Jonuzi dhe Herald Marku. Nga ana tjetër, sulmi do të ketë Bekim Balajn në majë dhe afër tij Ardit Hoxhajn dhe Esat Malën, që do të luajnë nga krahët.
Vetëm nëse në stërvitjen e fundit ka ndonjë dëmtim, Josa mund të ndryshojë formacionin.
Liridon Latifi do ta nisë sërish nga stoli ndeshjen kundër Tiranës, ndërsa vetëm në pjesën e dytë mund të marrë minuta. Sulmuesi kosovar nuk është ende në gjendjen më të mirë fizike.