Edi Reja duket se ka vendosur të bëjë ndryshime të rëndësishme në radhët e përfaqësueses shqiptare për ndeshjen e sotme kundër Andorrës. Burime nga grupi kuqezi lënë të kuptohet se trajneri po mendojn të bëjë disa lëvizje në rreshtim në këtë duel, i cili është një mundësi e mirë për të parë në një garë zyrtare emrat e rinj të afruar së fundmi.

Trajneri ka provuar disa variante taktike për ndeshjen e sotme gjatë këtyre ditëve në grumbullim, ndërsa po mendon t’i japë hapësira emrave si Selahi e Ndoj në mesfushë. Kjo pas ai po merr në konsideratë problemin e Memushajt, por edhe situatën e kartonëve të Bares i cili është një nga mesfushorët më në formë e rrezikon të mos luaj ndaj Francës. I sigurt për një vend në formacion duket Ramadani, i cili do të zërë vendin para mbrojtjes me mungesën e Gjasulës së pezulluar.

Përkrah tij, Selahi e Ndoj janë kandidatë për të luajtur nga minuta e parë, apo për të bërë stafetë mes tyre gjatë sfidës, dilemë që do të zgjidhet vetëm në momentet e fundit nga tekniku i kuqezinjve.

Risia më e madhe mund të jetë Taulant Seferi. Ai është i vetmi nga futbollistët e sulmit, përtej Kamberit që pret lejekalimin nga FIFA, që nuk është testuar më parë nën urdhrat e trajnerit të kuqezinjve dhe Reja dëshiron të shohë edhe atë që mund të japë futbollisti nga Kumanova në këtë duel.

Në një nga variantet e përdorura në stërvitje, Seferi ishte një nga futbollistët e sulmit kuqezi për këtë sfidë, ndaj mund të jetë pikërisht ai surpriza e madhe e Rejës për duelin ndaj Andorrës. /vipsport/