Saturday, January 24, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFORMACIONI/ Vllaznia me të njëjtët lojtarë edhe sot ndaj Partizanit

FORMACIONI/ Vllaznia me të njëjtët lojtarë edhe sot ndaj Partizanit

Vllaznia po përgatitet për një tjetër përballje të zjarrtë në Superiore, teksa në javën e 21-të të kampionatit do të sfidojë Partizanin, në një ndeshje që pritet me interes të lartë nga tifozët dhe ambienti sportiv. Forma e mirë dhe rezultatet bindëse të javëve të fundit duket se kanë blinduar idetë e trajnerit Edi Martini, i cili nuk pritet të bëjë shumë eksperimente për këtë duel delikat.

Tekniku shkodran ka gjetur balancën e duhur në skuadër dhe gjithçka tregon se do t’u besojë titullarëve të ndeshjes së kaluar ndaj Dinamos, një takim ku Vllaznia tregoi autoritet, organizim dhe efikasitet në çdo repart. Vazhdimësia dhe stabiliteti janë kthyer në armët kryesore të kuqebluve, të cilët synojnë të ruajnë ritmin pozitiv.

Në portë, gjithçka duket e qartë: Pohls do të jetë sërish pika e referimit mes shtyllave. Portieri ka qenë një garanci e vërtetë për Vllazninë, jo vetëm për pritjet vendimtare, por edhe për qetësinë që i transmeton repartit difensiv. Para tij, mbrojtja me Gjinin, Gurishten dhe Çelikoviç ka treguar siguri dhe koordinim, duke kufizuar ndjeshëm hapësirat për kundërshtarët.

Mesfusha pritet të jetë një tjetër pikë kyçe e lojës. Krymi, Kallaku dhe Mala formojnë një treshe që kombinon eksperiencën, teknikën dhe agresivitetin pozitiv. Ata do të mbështeten nga krahët, ku në të djathtë Kastrati dhe në të majtë Jago do të kenë detyrën të japin thellësi, por edhe të ndihmojnë në fazën mbrojtëse, duke e bërë ekipin kompakt në të dy fazat e lojës.

Në repartin ofensiv, Martini duket se do të mbështetet te një dyshe potente dhe me peshë si Bismark dhe Balaj. Dyshja ofron forcë fizike, eksperiencë dhe instinkt goli, elementë që mund të bëjnë diferencën në një ndeshje të fortë si ajo ndaj Partizanit. Bashkëpunimi mes tyre pritet të jetë një nga armët kryesore të Vllaznisë për të goditur mbrojtjen e të kuqve. Objektivi i shkodranëve është i qartë: fitorja e tretë radhazi në Superiore. Një sukses ndaj Partizanit jo vetëm që do të konfirmonte momentin pozitiv të ekipit, por edhe do t’i jepte Vllaznisë një shtysë të rëndësishme morale dhe renditjeje, duke e mbajtur fort në garën për objektivat madhorë të sezonit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments