Në këtë kohë karantine shpesh futbollistët postojnë në rrjetet sociale foto dhe video të stërvitjeve individuale që bëjnë në kushte shtëpie.
Dje portieri shkodran që luan në kampionatin kosovar, Erind Selimaj, kishte publikuar në faqen e tij në “Facebook” një video ku po ushtrohej vetëm në shtëpi. Selimaj luan që prej verës së vitit të kaluar te Flamurtari i Prishtinës në Superligën kosovare.
“Qëndro në shtëpi”, shkruante portieri, një moto që përdoret nga të gjithë tashmë për mënyrën se si duhet të mbrohemi nga përhapja e koronavirusit. Mirëpo, sulmuesi i njohur shkodran, Xhevahir Sukaj, duke parë me vëmendje videon e Selimajt, nuk ngurroi t’i lëshonte një batutë epike.
“Ti a ke shtëpi a magazinë mor…”, i shkruante Sukaj Selimajt në formë pyetje, duke parë edhe hapësirën e bollshme në banesën e portierit. Ky i fundit menjëherë iu përgjigj: “Kjo për këtë punë është cuku”…
Mesa duket “Cuku” është edhe nofka që ish-portieri i Vllaznisë i ka vënë sulmuesit që aktualisht është pjesë e Flamurtarit të Vlorës.